
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia vazhdon të mos e përmbushë obligimin për dorëzimin e dokumentacionit kadastral të Kosovës, ndonëse kanë kaluar 15 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për këtë çështje.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnim (ATRC) dhe Banka Botërore, Kurti ka kritikuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes së 2 shtatorit 2011, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas tij, Bashkimi Evropian kishte ndarë 2 milionë euro donacion për këtë proces, por Serbia nuk ka dorëzuar as kopjet e dokumentacionit.
“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar më datë 2 shtator 2011. Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se lë më origjinalin”, deklaroi Kurti.
Kryeministri theksoi se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike të qytetarëve, duke e ndërlidhur atë me sigurinë e banimit dhe mirëqenien familjare.
Ai foli edhe për rezultatet e projektit PIAKOS, përmes të cilit, sipas tij, qytetarët janë mbështetur drejtpërdrejt në 16 komuna të Kosovës, veçanërisht gratë në rregullimin e dokumentacionit pronësor dhe procedurat e trashëgimisë.
Kurti bëri të ditur se numri i pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve është rritur ndjeshëm, nga rreth 100 regjistrime në vitin 2016 në afërsisht 31 mijë.
“Kemi bërë një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, tha ai.
Duke folur për reformat në kadastër, Kurti përmendi edhe projektin REGIP, i cili po zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe përfshin rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale.
Ai paralajmëroi gjithashtu se institucionet nuk do të tolerojnë falsifikimin apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike.
“Nuk ka më tolerancë për abuzimet, falsifikimet apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Çdo parregullsi dhe çdo dosje e dyshimtë, qoftë në proces të shpronësimeve apo të kadastrit, po dërgohet me vendosmëri në prokurori”, deklaroi Kurti.
Në fund, kryeministri përmendi edhe procesin e regjistrimit të pronave në veri të vendit, duke thënë se janë verifikuar dhe regjistruar mbi 23 mijë e 600 prona të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë.
Ai përmendi edhe emërtimin e rrugëve në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post “15 vjet nga marrëveshja, as kopjen s’na e kanë dorëzuar” – Kurti akuzon Serbinë për mosdorëzimin e dokumentacionit kadastral appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali