Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Ayden Heaven, thuhet se po e shqyrton të ardhmen e tij në “Old Trafford”, pasi ka luajtur vetëm një ndeshje nën drejtimin e trajnerit të ri, Mauricio Pochettino.
20-vjeçari mbeti në bankën rezervë pa u aktivizuar në humbjen e rëndë 4-0 ndaj Liverpoolit, gjë që ka ngritur menjëherë pikëpyetje për rolin e tij në projektin e ri të skuadrës.
Sipas BBC, Heaven ka frikë se minutazhi i tij do të zvogëlohet edhe më shumë, pasi Pochettino pritet të mbështetet te futbollistët me përvojë në përpjekje për ta nxjerrë Manchester Unitedin nga zona e rënies nga liga.
Mbrojtësi preferon të largohet në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të janarit, por nuk e përjashton as mundësinë e një transferimi të përhershëm.
Ndërkohë, Manchester United po synon të përforcojë repartin defensiv gjatë afatit kalimtar të dimrit dhe është lidhur me mbrojtësin e Fulhamit, Calvin Bassey. Nëse klubi arrin të sigurojë përforcime të tjera në këtë repart, atëherë konkurrenca për një vend në formacion do të bëhej edhe më e madhe për Heavenin.
Interesim për 20-vjeçarin kanë shfaqur edhe Fulham dhe Barcelona, sipas raportimit. Të dy klubet kishin tentuar ta transferonin atë edhe më parë, kur Heaven u largua nga Arsenali për t’iu bashkuar Manchester Unitedit në shkurt të vitit 2025.
Ndryshimet e vazhdueshme në stolin e trajnerit kanë ndikuar në zhvillimin e mbrojtësit gjatë gati dy viteve të tij në Manchester. Pochettino është tashmë trajneri i tretë i përhershëm nën drejtimin e të cilit ka luajtur qendërmbrojtësi që prej transferimit te “Djajtë e Kuq”.
Pavarësisht se ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2029, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, Heaven ende nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacionin titullar.
Ai ka regjistruar gjithsej 32 paraqitje me Manchester Unitedin, por këtë sezon ka qenë titullar vetëm në dy nga 11 ndeshjet e zhvilluara në Ligën Premier dhe në dy nga katër takimet e Ligës së Kampionëve./Telegrafi/