Belgjika inauguron fabrikën më të madhe të satelitëve në Evropë

Belgjika inauguron fabrikën më të madhe të satelitëve në Evropë

Written by

in

Mbreti i Belgjikës, Philippe, përuroi të martën në qytetin Charleroi një fabrikë që pritet të bëhet më e madhja për prodhimin e satelitëve në Bashkimin Evropian. Objekti synon t’i përgjigjet kërkesës në rritje të Evropës për infrastrukturë hapësinore.

Fabrika, e drejtuar nga kompania belge Aerospacelab, do të prodhojë ndër të tjera satelitë për projektin Iris2 të Bashkimit Evropian, i cili synon të krijojë një alternativë evropiane ndaj rrjetit Starlink të Elon Musk.

“Jemi rritur edhe më shpejt se ambiciet tona”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Aerospacelab, Benoit Deper, transmeton Telegrafi.

Ai kujtoi se kompania, e themeluar si një startup i vogël në vitin 2018, është shndërruar në një projekt me përmasa të mëdha, që sot luan rol në forcimin e sovranitetit hapësinor të Evropës.

E vendosur në qytetin jugor të Charleroi, i njohur më shumë për aeroportin me fluturime me kosto të ulët dhe fabrikat e braktisura nga e kaluara industriale e Belgjikës, fabrika ka një kapacitet të planifikuar prodhimi prej rreth 500 satelitësh në vit.

Në shtator, Deper dhe partnerët e tij siguruan një kontratë me vlerë 2.4 miliardë euro për prodhimin e 264 prej gjithsej 348 satelitëve që parashikohet të përbëjnë konstelacionin Iris2.

Megjithatë, objekti gjigant në formë ovale, me një sipërfaqe prej rreth 20 mijë metrash katrorë, ende nuk ka nisur punën. Punonjësit pritet të vendosen në fabrikë në janar, ndërsa prodhimi synohet të fillojë deri në fund të vitit 2028.

Evropa po përpiqet të forcojë sektorin e saj hapësinor, në një kohë kur po rriten mundësitë ekonomike përtej Tokës dhe shqetësimet për varësinë nga partnerët e huaj, veçanërisht nga SHBA-ja. /Telegrafi/