Mickoski: Shqipëria dhe Mali i Zi nuk janë përpara nesh, rruga e tyre drejt BE-së i ngjan një autobusi të lëkundur

Mickoski: Shqipëria dhe Mali i Zi nuk janë përpara nesh, rruga e tyre drejt BE-së i ngjan një autobusi të lëkundur

Written by

in

“Maqedonia do të vazhdojë të zbatojë reformat, por nuk do t’i pranojë çështjet dypalëshe si pengesë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”. Këtë e deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski në prag të samitit të sotëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me ngërçin në procesin e integrimit evropian dhe mesazhet e fundit nga Brukseli.

Mickoski tha se nuk pajtohet me mendimin se Shqipëria dhe Mali i Zi po përparojnë më shpejt se Maqedonia.

“Nuk do të pajtohesha që ata po ecin përpara. Nuk mendoj se është pikërisht kështu. Do të kthehem te deklarata ime për autobusin e lëkundur. Kështu duket rruga e tyre drejt BE-së në këtë moment, si për Malin e Zi ashtu edhe për Shqipërinë. Dhe ne po zbatojmë reforma, ne jemi vërtet në krye kur bëhet fjalë për Agjendën e Reformave”, tha Mickoski.

Kryeministri u përmbajt nga komenti i drejtpërdrejtë mbi deklaratën e fundit të Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Evropian, Geert Jan Kopman, i cili vlerësoi se bllokimi i integrimit evropian të Maqedonisë është në Shkup dhe jo në Bashkimin Evropian.

Mickoski e quajti Kopmanin mik të Maqedonisë, duke theksuar se Qeveria e vlerëson shumë kontributin e tij në zbatimin e Agjendës së Reformave.

Ai njoftoi se gjatë ditës do të kenë një video-takim pune për të shqyrtuar nivelin e përmbushjes së angazhimeve reformuese, dhe pret të takohet me të në Bruksel./Telegrafi/