Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me atë se si do të zgjidhet ligjërisht ndihma nga shteti për çiftet e reja bashkëshortore gjatë blerjes së banesave, gjegjësisht për shërbimet komunale dhe se si do të përcaktohet çmimi mesatar, tha se janë duke u përgatitur dy ligje të posaçme që duhet të kalojnë në Kuvend.
“Me shumë gjasë ne do të shkojmë me dy ligje të posaçme në Kuvend, të cilat tashmë janë duke u përgatitur. Ministria e Transportit dhe Kabineti im janë duke i punuar ligjet. Po flas për ligjin e parë, me të cilin çiftet bashkëshortore deri në moshën 35 vjeç do të fitojnë të drejtën, gjegjësisht do të pajisen me të drejtën që të marrin një hapësirë banimi e cila do të jetë me çmim 20% më të ulët nga ai mesatari, i tregut, në atë komunë kadastrale në vitin paraprak. Këtë mëngjes kam biseduar edhe me drejtorin e Kadastrës, ata janë duke përgatitur një analizë të këtij lloji, ndërsa analiza për tremujorin e tretë tashmë ka përfunduar.
E kam ngarkuar që gjatë ditës të më informojë për gjendjen gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Pres që këtë analizë ta marr shumë shpejt, brenda ditës së sotme, dhe më pas do të kemi mundësi ta publikojmë edhe zyrtarisht gjendjen në komunat kadastrale ku janë shitur banesa në objekte të reja banimi, dhe nga kjo, më pas qytetarët, përkatësisht ata që i plotësojnë kushtet sipas kritereve, do të mund të bëjnë llogaritjet dhe planet e tyre për të ardhmen. Pra, bëhet fjalë për një ligj të posaçëm, i cili së shpejti do të paraqitet para deputetëve.
Gjithashtu, ligji i dytë i posaçëm është ai përmes të cilit komunat nuk do të marrin taksa komunale për ndërtimin e shtëpive nga çiftet bashkëshortore që i përkasin këtij profili.
Jam i bindur, pasi tashmë një numër i madh i kryetarëve të komunave më kanë kontaktuar me ide, se kanë disa hektarë tokë që dëshirojnë ta urbanizojnë, ta parcelizojnë dhe t’ua ofrojnë me çmimin prej 1 euroje për këtë kategori të çifteve bashkëshortore, gjë që është pozitive”, tha Mickoski./Telegrafi/