Në kujtesën e muzikës shqiptare, emri i Lorenc Antonit zë një vend të veçantë. Krijimtaria e tij, përkushtimi ndaj mbledhjes dhe studimit të këngës popullore, si dhe kontributi në jetën muzikore shqiptare, u rikthyen në vëmendje përmes një tryeze shkencore të organizuar nga Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës.
I lindur më 23 shtator 1909 në Shkup, Lorenc Antoni u formua në një mjedis familjar ku muzika ishte pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Këngët popullore, rrëfimet dhe traditat gojore që dëgjoi që në fëmijëri u bënë më vonë një burim i rëndësishëm frymëzimi për veprimtarinë e tij krijuese dhe studimore.
Tryeza shkencore u hap me fjalën e Arbnora Dushit, ndërsa studiues të fushës së muzikës dhe folklorit trajtuan aspekte të ndryshme të veprës dhe trashëgimisë së Antonit.
Ndërkaq, mbesa e tij, Alma Bejtullahu, solli në vëmendje muzikën në jetën familjare të Lorenc Antonit, duke ndriçuar ndikimin e mjedisit ku ai u rrit dhe lidhjen e hershme me traditën muzikore. Një vend të veçantë në kujtimet e tij zinte gjyshja Maria, të cilën Antoni e përshkruante si një njohëse të pasur të këngëve, përrallave, fjalëve të urta dhe traditave popullore. Zëri dhe këngët e saj mbetën të gjalla në kujtesën e tij, duke dëshmuar ndikimin e trashëgimisë familjare në formimin e ndjeshmërisë së tij muzikore.
Rreze Kryeziu trajtoi figurën e Antonit ndërmjet koleksionimit, institucionalizimit dhe praktikës kompozicionale, ndërsa Visar Munishi u përqendrua në raportin e tij me muzikën tradicionale.
Përmes këtyre kumtesave, figura e Lorenc Antonit u shqyrtua jo vetëm në dimensionin krijues, por edhe në atë studimor, si një personalitet që kontribuoi në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë muzikore shqiptare.
Tryeza shkencore, e mbajtur më 13 tetor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, shërbeu si një rikthim te vepra dhe kujtesa e një prej figurave të rëndësishme të muzikës shqiptare, trashëgimia e të cilit vazhdon të mbetet burim studimi për brezat e rinj.
Burimi: RTKLive
