Tokë në Ohër, dy vetura dhe disa llogari bankare – pasuria e Aleksandar Nikolloskit

Tokë në Ohër, dy vetura dhe disa llogari bankare - pasuria e Aleksandar Nikolloskit

Written by

in

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, në deklarimin e pasurisë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka evidentuar pasuri të paluajtshme, vetura dhe disa llogari bankare, si në emrin e tij personal, ashtu edhe në emrin e bashkëshortes.

Sipas të dhënave të paraqitura në regjistrin e pasurisë, në emër të bashkëshortes figuron një tokë ndërtimore në komunën kadastrale Ohër 3, me sipërfaqe të regjistruar prej 60 dhe vlerë prej 5.400.000 denarë. Toka është fituar në vitin 2018, ndërsa si bazë juridike e fitimit është shënuar denacionalizimi. Në regjistër, prona figuron me pjesëmarrje pronësore 1/1 dhe me destinim për shtëpi banimi të tipit A1-1, me oborr – shtëpi individuale.

Sa u përket automjeteve, Nikolloski ka deklaruar një veturë Skoda Superb, të prodhimit të vitit 2018, me vlerë të regjistruar prej 1.800.000 denarë. Si bazë juridike për fitimin e saj është shënuar kontrata e shitblerjes.

Në emër të bashkëshortes figuron edhe një Jeep MX Compass, i prodhimit të vitit 2017, me vlerë të regjistruar prej 2.100.000 denarë, gjithashtu përmes kontratës së shitblerjes.

Në deklarimin e pasurisë janë evidentuar edhe disa llogari bankare. Në emër personal të Nikolloskit figurojnë një llogari transaksionale në denarë, një llogari devizore në euro dhe depozita të tjera me afat të pakufizuar në denarë. Si bazë e fitimit janë shënuar paga dhe kartela kreditore.

Ndërkaq, në emër të bashkëshortes figurojnë një llogari transaksionale në denarë, një llogari devizore në euro dhe një tjetër llogari transaksionale në denarë. Për këto llogari, si bazë e fitimit janë shënuar paga dhe të ardhurat.

Nga të dhënat e paraqitura, vlera e tokës së deklaruar është 5,4 milionë denarë, ndërsa dy veturat kanë vlerë të regjistruar prej gjithsej 3,9 milionë denarësh në momentin e fitimit.

Të dhënat e Nikolloskit janë marrë nga deklarimi i pasurisë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.