Njohja e historisë, lidhja me rrënjët dhe integrimi me të rinjtë shqiptarë janë disa nga përvojat që programi OriginAL i ka mundësuar Helga Zenelit, e cila është rritur në Greqi dhe jeton në Filadelfia të ShBA’së, shkruan Telegrafi.
Zeneli, e cila ka vizituar Shqipërinë përmes këtij programi, në një prononcim për Telegrafin ka rrëfyer se si ishte njohur me historinë e Kosovës përmes prindërve të saj gjatë kohës kur po rritej në Greqi.
“Duke u rritur në Greqi, prindërit e mi na flisnin vetëm për historinë e Kosovës, edhe gjëra shumë të vogla, domethënë gjenocidet që kanë ndodhur në Kosovë, por asgjë më tepër”, ka treguar ajo.
Qëndrimi në Kosovë dhe Shqipëri i ka mundësuar asaj të njihet më nga afër me historinë, të dëgjojë rrëfimet e njerëzve që kanë përjetuar luftën, por edhe të shohë përparimin e gjeneratave të reja.
“Duke kaluar kaq shumë kohë, në Kosovën dhe në Shqipëri, kam pasur mundësi të flas me njerëz të ndryshëm që kanë kaluar eksperienca shumë të vështira gjatë kohës së luftës edhe kanë parë edhe si gjenerata e re ka mundur ta avancojë mbas gjithë kësaj kohe kaq të vështirë”, ka thënë Zeneli.
Për të renë nga diaspora shqiptare, kalimi i kohës në Kosovë dhe Shqipëri është gjithashtu një mundësi për të forcuar lidhjen me komunitetin dhe bashkëmoshatarët e saj.
“shpresoj domethënë sa më shumë kohë që kaloi në Shqipëri edhe në Kosovë, aq më shumë të integrohem me komunitetin këtu edhe me rininë këtu dhe shpresoj, domethënë sa më shumë, të shoh më të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë.”
Rrëfimi i Zenelit pasqyron rëndësinë që ka njohja nga afër e vendlindjes së rrënjëve familjare për të rinjtë e diasporës shqiptare, përtej historive që dëgjojnë gjatë rritjes së tyre jashtë vendit./Telegrafi/