Në fokus të diskutimit ishte Autostrada e Tregut të Përbashkët (Single Market Highway), transformimi industrial dhe rritja e kapaciteteve konkurruese të ekonomive të rajonit.
Gjatë diskutimit, Kusari-Lila ka prezantuar potencialin që Kosova po dëshmon në sektorë konkretë, si përpunimi i metaleve, materialet e ndërtimit, ndërtimet e parafabrikuara, përpunimi i drurit, plastika dhe produktet elektrike.
“Theksova se përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së është vetëm hapi i parë. Sfida kryesore mbetet ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe teknike për testim, certifikim dhe akreditim sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht”, ka shkruar Kusari-Lila.
Sipas saj, Marrëveshja për Vlerësimin e Konformitetit dhe Pranimin e Produkteve Industriale (ACAA) mbetet një instrument kyç për lehtësimin e tregtisë dhe eliminimin e barrierave teknike.
Ministrja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e eliminimit të çdo pengese që cenon pjesëmarrjen e Kosovës, si vend i barabartë, në të gjitha nismat rajonale, veçanërisht ato të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian.
“Pjesëmarrja e barabartë është kusht themelor për një bashkëpunim të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Integrimi evropian duhet të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme për bizneset tona. Kjo kërkon udhërrëfyes sektorialë, instrumente financiare për modernizim teknologjik, digjitalizim dhe efiçiencë të energjisë, zhvillim të aftësive të fuqisë punëtore, si dhe lidhje të drejtpërdrejta të prodhuesve tanë me kompanitë evropiane”, ka shkruar Kusari-Lila.
Burimi: RTKLive
