Muaji rozë rrit interesimin për kontrollet e gjirit

Muaji rozë rrit interesimin për kontrollet e gjirit

Written by

in

Por, sa janë të vetëdijshme gratë për rëndësinë e kontrolleve dhe a po i kushtojnë ato vëmendjen e duhur shëndetit të tyre gjatë gjithë vitit, apo vetëm në tetor? Sa është numri i vizitave gjatë këtij muaji, cili është interesimi i grave dhe çfarë mundësish ofrojnë institucionet shëndetësore për diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve? Për këto çështje foli specialistja e radiologjisë, doktoresha Shpresa Luka Gjoçaj.

“Muaji tetor njihet si muaji rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, muaji i luftës kundër kancerit të gjirit dhe muaj i mbështetjes së të gjitha atyre që e kanë përballuar dhe janë ballafaquar me këtë sëmundje dhe janë të mbijetuara dhe jetojnë bëjnë jetë normale. Domethënë, është një muaj i solidarizimit, një muaj i vetëdijësimit dhe natyrisht që e gjithë kjo reflekton edhe në numrin e pacienteve që gjatë këtij muaji shtohet fluksi i grave të cilat kërkojnë kontrolle, domethënë ekzaminimin me ultrazë dhe mamografi”, u shpreh doktoresha Shpresa Luka Gjoçaj.

Gjatë muajit rozë, interesimi i grave për kontrolle shëndetësore shënon rritje, megjithatë, sipas doktoreshës, ekzaminimet ofrohen gjatë gjithë vitit. Për të ilustruar këtë, ajo ka krahasuar numrin e ekzaminimeve të kryera në muajt gusht dhe tetor të vitit të kaluar.

“Mirëpo, këtu në kabinetin tonë, jo vetëm gjatë këtij muaji, po gjatë gjithë vitit ofrojmë shërbime, domethënë ofrojmë vizitat në kuptimin e kryerjes së ultrazërit dhe mamografive. Përndryshe, fluksi i pacienteve është në rritje dhe vetëm një paralele krahasuese, domethënë se sa reflekton kjo gjatë muajit tetor: vitin e kaluar, gjatë muajit gusht kemi pasur gjithsej 140 ekzaminime, ultrazë dhe mamografi, ndërsa në tetorin e po të njëjtit vit i kemi pasur 280 ekzaminime. Pra shihet që gjatë muajit tetor disi gratë, të thëm në thonjëza, zgjohen nga gjumi dhe janë të vetëdijshme për vetveten, për shëndetin e tyre. Janë të vetëdijshme që duhet t’i përkushtohen vetvetes” , tha ajo.

Ndërkaq, rëndësi të veçantë në luftën kundër kancerit të gjirit ka zbulimi i hershëm i sëmundjes, i cili mundëson trajtim më të suksesshëm. Sipas të dhënave statistikore për vitin 2025, më shumë se gjysma e rasteve të raportuara janë diagnostikuar në stadet e para të sëmundjes.

“Në bazë të të dhënave statistikore të vitit 2025, shënohet që 53.4% e rasteve të raportuara janë të diagostikuara në stadin e parë dhe të dytë të kësaj sëmundjeje, që kjo siguron një trajtim dhe sukses të mëtejmë gjatë kësaj patologjie”, ka thene ajo.

Burimi: RTKLive