
Pep Guardiola ka zbuluar se hapi i radhës në karrierën e tij si trajner do të jetë drejtimi i një përfaqësueseje, duke shprehur dëshirën për të provuar veten edhe në futbollin ndërkombëtar.
Trajneri 55-vjeçar katalunas ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti kishte refuzuar mundësinë për të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Italisë.
Guardiola ka treguar se kishte marrë telefonata nga Paolo Maldini dhe Leonardo, por në atë kohë kishte ndier nevojën për të pushuar pas aventurës së tij te Manchester City.
“Një kombëtare është hapi im i radhës. Fakti që Italia më konsideroi ishte një nga nderimet më të mëdha të karrierës sime. Një apo dy vite më parë, me shumë gjasë do ta kisha pranuar, por kur më telefonuan Paolo Maldini dhe Leonardo, kisha nevojë për një pushim”, ka deklaruar Guardiola për mediumin francez ‘L’Équipe’.
Mbetet të shihet se cilës kombëtare do t’i besohet drejtimi i njërit prej trajnerëve më të suksesshëm të futbollit modern.
Burimi: Insajderi