Kollë dhe lodhje për javë të tëra, mjekët në Zvicër tregojnë pse po shtohen rastet

Kollë dhe lodhje për javë të tëra, mjekët në Zvicër tregojnë pse po shtohen rastet

Written by

in

Me afrimin e dimrit, gjithnjë e më shumë pacientë në Zvicër po kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të kollës së vazhdueshme, lodhjes dhe simptomave të ftohjes që zgjasin me javë të tëra.

Në mëngjes ndiejnë kruajtje në fyt dhe kanë hundë të bllokuara, gjatë ditës ndihen më mirë, ndërsa në mbrëmje përballen sërish me lodhje dhe mungesë energjie.

Kjo gjendje, të cilën shumë njerëz e përshkruajnë si të qenit vazhdimisht “gjysmë të sëmurë”, po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në ordinancat mjekësore në Zvicër.

Dr. Salome Zeller, specialiste e mjekësisë së brendshme në Rüti, ka deklaruar për mediumin zviceran 20 Minuten se ankesat e tilla shtohen çdo vit gjatë kalimit nga vjeshta në dimër, transmeton Telegrafi.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe njerëzit kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura, ku viruset përhapen më lehtë. Si pasojë, personat që sapo janë shëruar nga një infeksion mund të preken menjëherë nga një tjetër.

Edhe Dr. Stefan Maydl, mjek në Medbase Wil, konfirmon se aktualisht po trajton më shumë pacientë me infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.

“Infeksioni akut shpesh kalon pas disa ditësh, por kolla, lodhja, ulja e qëndrueshmërisë fizike dhe ndjenja e përgjithshme e sëmundjes mund të zgjasin me javë të tëra”, shpjegon ai.

Pse kolla mund të zgjasë deri në tetë javë?

Sipas mjekëve, edhe pasi simptomat e ftohjes janë zhdukur, bronket mund të mbeten të ndjeshme për një periudhë më të gjatë.

Ajri i ftohtë apo edhe një e qeshur spontane mund të shkaktojnë kollë. Ekspertët e quajnë këtë kollë post-infektive, e cila te të rriturit mund të zgjasë nga tri deri në tetë javë.

Nëse intensiteti i kollës zvogëlohet nga java në javë, kjo konsiderohet një shenjë e rikuperimit.

Megjithatë, nëse pas përmirësimit shfaqen sërish simptoma si rrjedhja e hundëve, dhimbja e fytit apo temperatura, mund të bëhet fjalë për një infeksion të ri.

Mjekët zviceranë theksojnë se aktualisht nuk ka të dhëna të besueshme që dëshmojnë se infeksionet e zakonshme respiratore zgjasin më shumë sesa në të kaluarën, transmeton Telegrafi.

Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?

Ekspertët rekomandojnë që personat të cilët vazhdojnë të kolliten pas dy deri në tri javësh të konsultohen me mjekun e familjes.

Duhanpirësit dhe personat me sëmundje kronike të zemrës apo mushkërive duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore edhe më herët.

Sipas mjekëve, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet simptomave si vështirësitë në frymëmarrje, dhimbjet në gjoks, temperatura e lartë dhe prania e gjakut në pështymë, raste në të cilat duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore.

Gjithashtu, djersitja gjatë natës dhe humbja e paqëllimshme e peshës janë shenja që nuk duhet të anashkalohen dhe që kërkojnë vlerësim mjekësor.

Mjekët këshillojnë gjithashtu që pas kalimit të një infeksioni, aktivitetet fizike të rifillojnë gradualisht, duke shmangur ushtrimet intensive.

Në rast të vështirësive në frymëmarrje, dhimbjeve në gjoks, temperaturës së lartë apo përkeqësimit të papritur të gjendjes shëndetësore, rekomandohet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore./Telegrafi/