Fëmijët shqiptarë në qytetin Oberndorf am Neckar të Gjermanisë tashmë do të kenë mundësinë të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, pas hapjes për herë të parë të shkollës shqipe në këtë qytet.
Lajmin e ka bërë të ditur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart, përmes një postimi në Facebook.
Sipas Konsullatës, hapja e shkollës vjen pas një periudhe angazhimi dhe bashkëpunimi me komunitetin shqiptar, duke shënuar fillimin e vitit shkollor 2026/2027.
“Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm një proces arsimor, por edhe një ndër shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar, kulturor dhe gjuhësor”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Mësimi plotësues i gjuhës shqipe do të zhvillohet në shkollën Grundschule Aistaig, në adresën Schulstraße 1, 78727 Oberndorf am Neckar-Aistaig, nën udhëheqjen e mësueses Florentina Haliti Mehmeti.
Kjo nismë u ofron fëmijëve mundësinë të mësojnë gjuhën amtare dhe të forcojnë lidhjet me kulturën, traditën dhe identitetin shqiptar.
Me këtë rast, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka shpërndarë edhe tekstet shkollore për të gjithë nxënësit, sipas niveleve përkatëse.
Konsullata ka falënderuar mësuesen dhe të gjithë kontribuuesit në realizimin e kësaj nisme, duke shprehur mirënjohje edhe për prindërit që angazhohen në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj.
“Ftojmë të gjithë bashkatdhetarët e kësaj zone që t’i bashkohen kësaj nisme, duke i regjistruar fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi/
Postimi i plotë: