Kurti: Serbia ta arrestojë dhe dorëzojë terroristin Radojiçiq

Kurti: Serbia ta arrestojë dhe dorëzojë terroristin Radojiçiq

Written by

in

Kurti: Serbia ta arrestojë dhe dorëzojë terroristin Radojiçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, ka ngritur sërish çështjen e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke bërë thirrje të drejtpërdrejtë që Serbia ta arrestojë dhe ta dorëzojë Milan Radoiçiqin.

Duke folur për luftën kundër krimit të organizuar, Kurti tha se dorëzimi i tij është i domosdoshëm për drejtësinë, duke kujtuar sulmin terrorist të shtatorit të vitit 2023 në Banjskë.

“Nevojitet që Serbia ta arrestojë dhe ta dorëzojë terroristin kryesor Milan Radoiçiq, i cili së bashku me 44 bashkëpunëtorët e tij paramilitarë i zunë pritë dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku në shtator të vitit 2023”, deklaroi Kurti.

Përveç çështjes së sigurisë, kreu i ekzekutivit kërkoi në Bruksel edhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.

Ai theksoi rëndësinë e marrëveshjes për mobilitetin, e cila mundëson njohjen e diplomave dhe lëvizjen e lirë të studentëve e profesionistëve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fund, Kurti ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj parimeve evropiane, duke përmendur faktin se vendi ka zbatuar të gjitha pakot e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë që nga nisja e agresionit në Ukrainë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali