Në krye të listës është ylli i Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi, i cili shoqërohet nga bashkëkombësit e tij nga Maroku, Brahim Diaz dhe Ismael Saibari.
Në mesin e finalistëve janë edhe sulmuesi i Al-Nassr, Sadio Mane, si dhe bashkëkombësi i tij nga Senegali, Pape Gueye, i cili luan për Villarreal në La Liga.
Hakimi synon ta mbrojë titullin pas një tjetër viti të suksesshëm me Paris Saint-Germainin, me të cilin fitoi Ligën e Kampionëve dhe Ligue 1.
Mbrojtësi kontribuoi edhe në suksesin e Marokut, që përfundoi në vendin e dytë në Kupën e Afrikës 2025, para se të arrinte deri në çerekfinale të Kupës së Botës 2026.
Ndërkohë, Mane synon ta fitojë për herë të tretë këtë çmim, pasi e kishte fituar edhe në vitet 2019 dhe 2022.
Sulmuesi i Al-Nassr u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Afrikës 2025, pasi udhëhoqi Senegalin drejt titullit të dytë kontinental.
Brahim Diaz u përfshi në listën e finalistëve pas një paraqitjeje të shkëlqyer në Kupën e Afrikës, ku me pesë gola u shpall golashënuesi më i mirë i turneut. Ai pati rol të rëndësishëm edhe në rrugëtimin e Marokut drejt çerekfinales së Kupës së Botës.
Pape Gueye siguroi vendin në mesin e kandidatëve pasi shënoi golin vendimtar në finalen e Kupës së Afrikës. Mesfushori i Villarreal u përfshi edhe në formacionin më të mirë të turneut.
Listën e plotëson Ismael Saibari, paraqitjet e të cilit në dy garat ndërkombëtare, së bashku me sukseset në nivel klubesh, e kanë bërë një nga kandidatët për këtë çmim prestigjioz.
CAF ka publikuar edhe finalistët në kategoritë e tjera. Senegali, Maroku dhe Kepi i Gjelbër do të garojnë për çmimin e Kombëtares më të Mirë të Vitit në konkurrencën e meshkujve.
Yassine Bounou, Edouard Mendy dhe Vozinha janë kandidatët për çmimin e Portierit më të Mirë të Vitit, ndërsa Pape Thiaw, Mohamed Ouahbi dhe Bubista do të garojnë për çmimin e Trajnerit më të Mirë të Vitit.
Fituesit do të shpallen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve CAF Awards, e cila do të mbahet të mërkurën, më 2 dhjetor, në Qendrën Profesori Wole Soyinka për Kulturë dhe Arte në Lagos të Nigerisë.
Ceremonia, e cila pritet të fillojë në orën 19:00 sipas kohës lokale, shënon rikthimin e çmimeve CAF Awards në Lagos për herë të parë që nga viti 2014.
Burimi: RTKLive
