
Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut, Kushtrim Zeneli, ka reaguar pas përplasjes fizike që ndodhi gjatë ditës së sotme në këtë institucion, duke e cilësuar atë si të papranueshme.
Zeneli ka thënë se kërcënimet për t’i sqaruar hesapet jashtë Kuvendit, shtyrjet dhe prekjet fizike janë shfaqje të një mendësie të dhunës, e cila nuk duhet të ketë vend në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Një gjë dua ta theksoj se me i thënë dikujt ‘eja t’i sqarojmë hesapet jashtë’ ose rrugës jashtë kuvendit me sulmuar dikë ose me e prekur dikë me dorë, me shty, kjo është mendësi e ulët, kjo është mendësi e dhunës që nuk guxon të ndodhë brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, as brenda kuvendit të Mitrovicës. Ky rast që ka ndodh është rasti ndoshta i parë, uroj që të jetë rasti i fundit edhe mos të përsëritet më asnjëherë”, tha Zeneli.
Ai bëri të ditur se pas eskalimit të situatës, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, ka thirrur në takim shefat e grupeve të partive politike, përkatësisht të PDK-së, LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Gjatë këtij takimi, sipas Zenelit, është diskutuar edhe për atë që ndodhi në Kuvend.
Shefi i asamblistëve të VV-së ka kritikuar gjithashtu sjelljen e disa asamblistëve të PDK-së, duke pretenduar se që nga fillimi i kësaj legjislature ata vazhdimisht ua ndërpresin fjalën asamblistëve të pozitës dhe drejtorëve.
“Ne pasi përfundoi edhe kjo eskalimi i situatës, kryesuesi i Kuvendit Safet Kamberi e thirri një takim me shefat e grupeve të partive politike, pra të PDK-së, LDK-së. Unë isha në cilësinë e shefit nga Lëvizja Vetëvendosje. Edhe aty u diskutua edhe për çka ndodhi në Kuvend. Aty e potencova atë që e thashë aty, po e them edhe këtu para jush. Prej fillimit të kësaj legjislature disa asamblistë të PDK-së janë shumë problematikë edhe vazhdimisht ndërprejnë secilin asamblist që flet prej pozitës, po ashtu dhe të drejtorëve. Kjo e ka prodhuar edhe këtë situatë. Po domethënë kjo në një farë mënyre ka qenë edhe e pranishme duke e ditur se çfarë ka ndodhur në seancat e kaluara. Është e papranueshme që t’i ndërpritet fjala një asamblisti, një drejtori”, deklaroi ai.
Në fund, Zeneli ka mohuar pretendimet e opozitës se asamblistët e VV-së përdorin gjuhë ofenduese ndaj tyre, duke thënë se përfaqësuesit e partisë së tij nuk kanë përdorur një gjuhë të tillë.
Burimi: Insajderi