Elon Musk ka marrë miratimin për një projekt ambicioz të kompanisë SpaceX, që parasheh ndërtimin e një rrjeti gjigant qendrash të të dhënave në orbitën e Tokës.
Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) i ka dhënë kompanisë një licencë 15-vjeçare, e cila mundëson vendosjen e deri në një milion qendrash të tilla në hapësirë.
Projekti synon të krijojë një infrastrukturë të fuqishme kompjuterike jashtë Tokës, e cila do të mbështesë kërkesat gjithnjë në rritje për kapacitete përpunuese, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale.
Kryetari i FCC-së, Brendan Carr, e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e epërsisë amerikane në teknologji dhe inteligjencë artificiale.
Sipas tij, zhvendosja e një pjese të kapaciteteve kompjuterike në hapësirë mund të ndihmojë në përballimin e kërkesave të mëdha për energji dhe infrastrukturë që kanë qendrat tradicionale të të dhënave në Tokë.
Një nga përparësitë e mundshme të këtyre objekteve është shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i energjisë diellore, duke zvogëluar varësinë nga burimet energjetike në Tokë.
Projekti vjen në një kohë kur ndërtimi i qendrave të mëdha të të dhënave po shkakton gjithnjë e më shumë shqetësime për konsumin e energjisë dhe ujit, si dhe ndikimin në komunitetet pranë tyre.
Megjithatë, realizimi i planeve të SpaceX përballet me sfida të konsiderueshme teknologjike, përfshirë menaxhimin e mbeturinave hapësinore, mirëmbajtjen e pajisjeve në orbitë dhe sigurimin e funksionimit të tyre në kushte ekstreme.
Sipas kushteve të miratimit, SpaceX duhet ta vendosë stacionin e parë në orbitë deri më 25 nëntor 2033, ndërsa objektivat e tjera duhet të përmbushen gradualisht deri në vitin 2040.
Musk e mirëpriti vendimin duke falënderuar kreun e FCC-së, Brendan Carr, dhe duke e cilësuar projektin si një zhvillim me rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës. /Telegrafi/