Von der Leyen: Synojmë t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në tregun e BE-së para anëtarësimit

Von der Leyen: Synojmë t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në tregun e BE-së para anëtarësimit

Written by

in

Von der Leyen: Synojmë t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në tregun e BE-së para anëtarësimit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm dialog të integrimit gradual me secilin nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, kjo do të bëhet me synimin për t’u ofruar qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët edhe para anëtarësimit.

Në deklaratën e saj pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen ka thënë se zgjerimi është domosdoshmëri strategjike për Evropën, duke vlerësuar përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, në procesin e negociatave për anëtarësim.

“Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit të tij. Dhe Shqipëria vazhdon të ecë drejt saj me një ritëm mbresëlënës”, u shpreh ajo.

Von der Leyen ka përmendur edhe përparimin në integrimin ekonomik të rajonit, duke theksuar se katër vende të Ballkanit Perëndimor tashmë janë pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), e cila bën transferimin e parave të shpejtë dhe me kosto të ulëta.

Ndërkaq, sipas saj, muajin e kaluar kanë nisur negociatat për skemën “Roam Like at Home” me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Duke folur për Planin e Rritjes, presidentja e Komisionit Evropian ka bërë të ditur se zbatimi i hapave të reformave nga partnerët e rajonit ka arritur në 63 për qind, krahasuar me 38 për qind sa ishte një vit më parë.

Ajo ka thënë se në javët në vijim Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të përfitojnë edhe 338 milionë euro në kuadër të këtij plani.

Von der Leyen ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke përmendur rritjen e tregtisë ndërmjet vendeve, njohjen e kualifikimeve përtej kufijve dhe lehtësimin e lëvizjes përmes roaming-ut rajonal.

Sipas saj, suksesi i zgjerimit duhet të matet përmes ndryshimeve konkrete në jetën e qytetarëve, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe bizneset e rajonit.