Gjumi i zgjatur te pacientët me sëmundje të zemrës: Rreziku i vdekjes rreth 50 për qind më i lartë

Gjumi i zgjatur te pacientët me sëmundje të zemrës: Rreziku i vdekjes rreth 50 për qind më i lartë

Written by

in

Një studim 15-vjeçar sugjeron se nevoja për më shumë gjumë mund të jetë tregues i problemeve shëndetësore që ende nuk janë identifikuar

A mund të jetë gjumi i zgjatur shenjë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore? Një studim i publikuar në revistën PLOS One tregon se gjumi prej nëntë ose më shumë orësh në ditë lidhet me rrezik rreth 50 për qind më të lartë të vdekshmërisë te personat me sëmundje të zemrës, krahasuar me ata që flenë shtatë deri në tetë orë.

Gjumi si tregues i mundshëm i rrezikut kardiovaskular

Pavarësisht masave parandaluese që synojnë kontrollin e hipertensionit, diabetit, kolesterolit dhe duhanpirjes, pacientët me sëmundje të zemrës vazhdojnë të kenë vdekshmëri më të lartë. Për këtë arsye, studiuesit po u kushtojnë rëndësi gjithnjë e më të madhe faktorëve të lidhur me stilin e jetesës.

Gjumi luan rol të rëndësishëm në rregullimin e metabolizmit, proceseve inflamatore, funksioneve të sistemit nervor autonom dhe rikuperimit të sistemit kardiovaskular. Hulumtimet e mëparshme kanë lidhur si gjumin e pamjaftueshëm, ashtu edhe atë të zgjatur, me sëmundjet kardiovaskulare dhe vdekjen e parakohshme.

Çfarë zbuluan studiuesit gjatë 15 vjetëve?

Hulumtuesit përdorën të dhënat e Anketës Kombëtare të Shëndetit në SHBA të vitit 2004, të ndërlidhura me regjistrin kombëtar të vdekshmërisë deri më 31 dhjetor 2019.

Nga 94.597 pjesëmarrës, 3.287 të rritur kishin raportuar diagnozë të sëmundjes koronare, infarkt të miokardit ose sëmundje të tjera të zemrës dhe kishin ofruar të dhëna të plota.

Kohëzgjatja e gjumit gjatë 24 orëve u nda në tri kategori:

  • Gjashtë orë ose më pak;
  • Shtatë deri në tetë orë (grupi referues);
  • Nëntë orë ose më shumë.

Analiza mori parasysh moshën, gjininë, indeksin e masës trupore, duhanpirjen, konsumimin e alkoolit, aktivitetin fizik dhe sëmundjet shoqëruese, përfshirë hipertensionin, diabetin, goditjen në tru dhe emfizemën pulmonare, transmeton Telegrafi.

Shutterstock

Nëntë ose më shumë orë gjumë dhe vdekshmëria

Gjatë periudhës së përcjelljes, 49,4 për qind e pjesëmarrësve vdiqën. Nga numri i përgjithshëm, 16,7 për qind vdiqën nga shkaqe të lidhura me zemrën, ndërsa 32,6 për qind nga shkaqe të tjera.

Krahasuar me personat që flinin shtatë deri në tetë orë, te ata që flinin nëntë ose më shumë orë u evidentua:

  • Rrezik 51 për qind më i lartë i vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet;
  • Rrezik 53 për qind më i lartë i vdekshmërisë nga shkaqet kardiake;
  • Rrezik 50 për qind më i lartë i vdekshmërisë nga shkaqet jokardiake.

Pas përshtatjes statistikore për faktorët e tjerë, gjumi prej gjashtë ose më pak orësh nuk tregoi lidhje statistikisht domethënëse me vdekshmërinë. Megjithatë, kjo nuk i zhvlerëson dëshmitë e mëparshme për pasojat e mungesës së gjumit.

Në analizat plotësuese, lidhja ndërmjet gjumit të zgjatur dhe vdekshmërisë mbeti e pranishme edhe pas përjashtimit të rasteve të vdekjes gjatë dy vjetëve të parë. Në analizën që mori parasysh mënyrën e përzgjedhjes së pjesëmarrësve, rritja e rrezikut ishte 26 për qind.

Çfarë mund të fshihet pas nevojës për më shumë gjumë?

Autorët konsiderojnë se gjumi i zgjatur mund të jetë tregues i gjendjes së rënduar shëndetësore dhe jo shkaktar i drejtpërdrejtë i vdekjes.

Ndër shpjegimet e mundshme përmenden depresioni, çrregullimet e frymëmarrjes gjatë gjumit, proceset inflamatore, dobësia e përgjithshme fizike, prania e njëkohshme e disa sëmundjeve kronike dhe përdorimi i shumë barnave.

Sipas studiuesve, pyetja për kohëzgjatjen e gjumit mund të shërbejë si metodë e thjeshtë, e shpejtë dhe me kosto të ulët për identifikimin e pacientëve që kanë nevojë për vlerësim të mëtejshëm mjekësor.

Kufizimet që duhen marrë parasysh

Kohëzgjatja e gjumit u raportua nga vetë pjesëmarrësit dhe u regjistrua vetëm një herë. Gjithashtu, analiza nuk përfshiu plotësisht faktorë të tillë si depresioni, shkalla e rëndesës së apnesë së gjumit, përdorimi i barnave dhe rëndesa e sëmundjes kardiake.

Edhe diagnozat kardiake mbështeteshin në deklarimet e pjesëmarrësve. Studimi përfshiu persona me diagnoza të ndryshme, të cilët nuk jetonin në institucione të kujdesit afatgjatë.

Meqenëse bëhet fjalë për një studim vëzhgues, rezultatet nuk dëshmojnë marrëdhënie shkak-pasojë dhe nuk nënkuptojnë se shkurtimi i gjumit ul rrezikun e vdekjes.

Rëndësia e vlerësimit të gjumit në praktikën klinike

Vlerësimi rutinor i kohëzgjatjes së gjumit, si pjesë e vlerësimit të përgjithshëm mjekësor, mund të ndihmojë në identifikimin e pacientëve kardiakë me rrezik të shtuar, të cilët përndryshe mund të mbeteshin të paidentifikuar.

Hulumtimet e ardhshme duhet të mbështeten në matje objektive dhe të përsëritura të gjumit, për të përcaktuar më saktë lidhjen ndërmjet gjumit të zgjatur, çrregullimeve të gjumit, sëmundjeve shoqëruese dhe përparimit të sëmundjeve të zemrës. /Telegrafi/