Haxhiu: Gruaja që raporton dhunën e ka bërë hapin më të vështirë, institucionet duhet t’i garantojnë mbrojtje dhe drejtësi

Haxhiu: Gruaja që raporton dhunën e ka bërë hapin më të vështirë, institucionet duhet t’i garantojnë mbrojtje dhe drejtësi

Written by

in

Haxhiu: Gruaja që raporton dhunën e ka bërë hapin më të vështirë, institucionet duhet t’i garantojnë mbrojtje dhe drejtësi

Fushata “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” është hapur zyrtarisht në Kosovë, në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, me sloganin “Raporto dhunën”.

Në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar se institucionet kanë përgjegjësi të reagojnë dhe të sigurojnë mbrojtjen e grave që raportojnë dhunën.

Ajo ka thënë se një grua që vendos ta raportojë dhunën e ka bërë tashmë hapin më të vështirë, ndërsa nga ai moment përgjegjësia kalon te institucionet, të cilat duhet t’i ofrojnë mbrojtje dhe drejtësi.

“Gruaja që raporton dhunën e ka bërë tashmë hapin më të vështirë. Prej atij momenti, përgjegjësia është e institucioneve, që ta mbrojnë dhe t’i sigurojnë drejtësi. Sa herë që një grua mbrohet pasi ka folur, një tjetër e gjen guximin të flasë. Këtë vit humbëm shumë gra nga femicidi, dhe secilën prej tyre e kujtojmë me dhimbje”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se pas vrasjeve të grave qëndron një pabarazi e vjetër, e cila ende u jep burrave të drejtën të vendosin për shkollimin, të ardhurat dhe jetën e grave.

Sipas saj, ky kontroll përbën dhunë edhe kur nuk lë shenja fizike.

“Asnjë zakon dhe asnjë koncept i rremë i nderit nuk mund të qëndrojë mbi dinjitetin dhe lirinë e një gruaje”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka bërë të ditur se Kuvendi, së bashku me institucionet e tjera, do të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje gjatë gjithë vitit.

“Uroj që mesazhi i kësaj fushate të arrijë te secila vajzë e grua, te secili djalë e burrë, por edhe te secili institucion dhe qytetar që ka përgjegjësi për ndërtimin e një shoqërie pa dhunë”, ka përfunduar Haxhiu.

Burimi: Insajderi