Vendimi u mor në Luksemburg, në kuadër të një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ku mori pjesë edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Në këtë proces u përfshinë edhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Takimi u bashkorganizua nga Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së dhe Komisioni Evropian, me fokus përfshirjen e vendeve partnere në punën e Qendrës për përballimin e manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion, si dhe kërcënimeve ndaj proceseve demokratike.
Nga Luksemburgu, ministri Hoxha e cilësoi vendimin si një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, asociimi përfaqëson një hap konkret drejt integrimit gradual, përmes sfidave, përgjegjësive dhe angazhimeve të përbashkëta me partnerët evropianë.
“Shqipëria ka krijuar një përvojë të vlefshme në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale. Jemi të gatshëm ta zhvillojmë më tej këtë ekspertizë dhe ta vëmë atë në shërbim të përpjekjeve tona të përbashkëta me partnerët evropianë”, deklaroi Hoxha.
Ai u ndal edhe te sfidat që lidhen me manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në hapësirën informative, duke theksuar se ato nuk synojnë vetëm sistemet dhe institucionet, por edhe besimin e qytetarëve dhe vetë themelet e debatit demokratik.
Duke iu referuar konferencës ndërkombëtare për këtë çështje dhe kontekstin e zgjerimit, të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë më 27 korrik, Hoxha theksoi nevojën për një komunikim publik më të koordinuar dhe përfshirjen e gjithë shoqërisë në përballjen me këto sfida.
“Një përgjigje që përfshin të gjithë shoqërinë mund të ketë sukses vetëm kur vetë shoqëria është e informuar, e ndërgjegjësuar dhe e angazhuar”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se bashkëpunimi mes vendeve anëtare dhe atyre kandidate për mbrojtjen e qëndrueshmërisë demokratike ndihmon qytetarët të kuptojnë se zgjerimi i BE-së është një investim i përbashkët për të ardhmen e Evropës.
“Për Shqipërinë, qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në BE janë të pandashme”, përfundoi Hoxha.
Burimi: RTKLive
