
Në fshatin Negroc të Drenasit, sot do të bëhet përurimi i lapidarit kushtuar Jakup Krasniqit, si dhe i simbolit me tri shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas agjendës së paralajmëruar, ceremonia do të mbahet nga ora 12:00, në hyrje të fshatit Negroc.
Përurimi i lapidarit dhe simbolit të UÇK-së po organizohet dy ditë para shënimit të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, transmeton Klankosova.tv.
Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, javën e kaluar qëndroi për katër ditë në Kosovë, pasi kishte marrë leje për të vizituar familjen për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Pas përfundimit të vizitës, Krasniqi u kthye në Hagë, ku po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.