Një zjarr ka shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në autotransformatorin AT2 (400/220 kV), në nënstacionin “Kosova B”.
Lajmi është bërë i ditur nga KOSTT, i cili ka njoftuar se menjëherë pas raportimit të zjarrit janë aktivizuar shërbimet emergjente, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Sipas njoftimit, ekipet teknike të KOSTT-it ndodhen në terren, ku po bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe po shqyrtojnë rrethanat në të cilat ka ndodhur avaria.
Megjithatë, ky incident nuk ka ndikuar në furnizimin me energji elektrike, i cili ka vazhduar pa ndërprerje. KOSTT ka bërë të ditur se avaria në autotransformator nuk ka ndikuar në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Në fund, KOSTT ka falënderuar ekipet e zjarrfikësve për intervenimin, si dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin gjatë menaxhimit të situatës në vendin e ngjarjes. /Telegrafi/