
Mbrojtja e ish-policit Shaqir Lutvija kërkoi të enjten në Gjykatën e Apelit që ai të lirohet nga akuza për krime lufte kundër popullsisë civile, me arsyetimin se nuk është provuar që ai e ka kryer veprën penale. Lutvija doli sërish para Apelit pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi edhe në rigjykim me 10 vjet burgim.
Në seancë mori pjesë edhe i dëmtuari Vehbi Veliaj, i cili u përball sërish me Lutvijën në sallën e gjyqit. Veliaj kërkoi që Lutvija të dënohet dhe që atij t’i kompensohet dëmi i pësuar.
Themelorja e dënoi sërish me 10 vjet burgim
Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli për herë të parë fajtor Lutvijën më 11 nëntor 2025 dhe e dënoi me 10 vjet burgim. Në qershor 2026, Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu rastin në rigjykim.
Më 28 korrik 2026, pas rigjykimit, Themelorja e shpalli sërish fajtor Lutvijën dhe i shqiptoi të njëjtin dënim prej 10 vjetësh burgim. Mbrojtja e kundërshtoi këtë aktgjykim në Apel.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Lutvija, në cilësinë e policit dhe inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, dyshohet se gjatë viteve 1998–1999 mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 11 civilëve shqiptarë. Prokuroria pretendon se Ramadan Jakupi humbi jetën si pasojë e keqtrajtimeve, ndërsa dhjetë civilët e tjerë pësuan lëndime trupore.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali