
Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund betejës së gjatë ligjore lidhur me shitjen e një pjese të pronësisë së saj në vreshtin francez, çështje e cila u zhvillua në mes të një procesi të ashpër divorci.
“Ne kemi arritur një marrëveshje jashtë gjykatës, në interesin më të mirë të familjes sonë dhe nuk do të komentojmë më tej”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të përfaqësuesve të yjeve të Hollywood-it.
Ata blenë shumicën kontrolluese të pronësisë në Château Miraval në vitin 2008, ndërsa gjashtë vjet më vonë u martuan pikërisht në këtë pronë.
Në padinë e tij, Pitt pretendonte se Jolie, 51 vjeçe, kishte vepruar pa lejen e tij kur shiti pjesën e saj në kantinën e verës te një oligark rus. Ajo ngriti kundërpadi, duke e akuzuar Pitt-in se e kishte sulmuar atë dhe dy prej fëmijëve të tyre gjatë një fluturimi me avion privat, ngjarje që e kishte shtyrë të kërkonte divorcin në vitin 2016.
Marrëveshja e bërë e ditur të mërkurën u jep fund të dy proceseve gjyqësore të ngritura nga palët.
“Çdo koment në artikujt e mediave që u atribuohet ‘burimeve’ në fakt nuk vjen nga asnjëri prej nesh dhe as nga ndonjë person i afërt me ne”, thuhet më tej në deklaratën e përfaqësuesve të tyre.
Në padinë e tij, Pitt e kishte akuzuar Jolie-n se kishte vepruar me qëllim që t’i shkaktonte dëm, pasi shiti pjesën e saj në vreshtin që zotëronin së bashku. Ai pretendonte se ky veprim e kishte detyruar të bëhej partner me “një të huaj me lidhje dhe qëllime helmuese”.
Aktori i filmit “Fight Club” kishte thënë se ai dhe Jolie kishin rënë dakord që asnjëri të mos e shiste pjesën e vet në pronë pa miratimin e tjetrit.
Sipas pretendimeve, Jolie ia kishte shitur pjesën e saj një prodhuesi pijesh alkoolike me seli në Luksemburg, i kontrolluar nga oligarku rus Yuri Shefler, pa dijeninë e Pitt-it.
Jolie iu kundërpërgjigj me një padi të sajën, në të cilën e akuzoi Pitt-in se e kishte kapur për koke dhe kishte sulmuar dy prej fëmijëve të tyre gjatë një udhëtimi me avion privat në vitin 2016.
Në padi pretendohej gjithashtu se Pitt kishte ushtruar dhunë verbale dhe kishte derdhur alkool mbi familjen e tij gjatë fluturimit nga Franca drejt Los Angelesit.
Avokatët e saj pretendonin se Pitt kishte nisur të bërtiste dhe e kishte akuzuar Jolie-n se ishte “tepër tolerante” ndaj gjashtë fëmijëve të tyre, të cilët në atë kohë ishin nga tetë deri në 15 vjeç.
Pitt nuk u akuzua pas hetimeve policore lidhur me incidentin, ndërsa ai i ka mohuar pretendimet.
Ata arritën një marrëveshje për divorcin në fund të vitit të kaluar, pas një beteje ligjore që zgjati tetë vjet.
Megjithatë, sipas informacioneve, procesi gjyqësor i Pitt-it kundër Stoli Group, një kompani pijesh në pronësi të oligarkut rus, ende është në vazhdim.
Në kohën kur u martuan në vitin 2014, Pitt dhe Jolie ishin ndër emrat më fitimprurës në Hollywood.
Ata u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Mr. & Mrs. Smith”, në vitin 2005, dhe shumë shpejt mediat nisën t’i quajnë “Brangelina”.
Për Pitt-in, kjo ishte martesa e dytë, pas lidhjes me aktoren Jennifer Aniston, e njohur nga seriali “Friends”.
Ndërsa për Jolie-n, ishte martesa e tretë, pas martesave me aktorët Billy Bob Thornton dhe Jonny Lee Miller.
Jolie adoptoi fëmijën e saj të parë, Maddox-in, nga Kamboxhia në vitin 2002, disa muaj pas lindjes së tij. Më vonë, Pitt e adoptoi atë, pasi kishte nisur lidhjen me Jolie-n.
Në vitin 2005, çifti adoptoi vajzën Zahara nga Etiopia, kur ajo ishte vetëm disa muajshe.
Fëmija i tyre i parë biologjik, Shiloh, lindi në Namibi në vitin 2006.
Djali i tyre Pax u adoptua në moshën trevjeçare nga Vietnami në vitin 2007, ndërsa në vitin 2008 lindën binjakët Knox dhe Vivienne.
Që nga ndarja e çiftit, katër nga gjashtë fëmijët kanë ndryshuar ligjërisht mbiemrin, duke zgjedhur Jolie në vend të Jolie-Pitt, sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga mediat e Hollywood-it.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali