Ku çojnë gjurmët e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit?

Ku çojnë gjurmët e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit?

Written by

in

Njëri është në kërkim dhe autoritetet serbe nuk tregojnë nëse kanë arritur ta lokalizojnë. Tjetri është larguar ligjërisht nga Serbia dhe ka udhëtuar drejt Stambollit përmes Sarajevës, me pasaportë serbe.

Zyrtarisht nuk dihet se ku ndodhen aktualisht ish-partnerët e biznesit nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq.

Aludimet jozyrtare se ata janë larguar nga Serbia u shfaqën pas zgjedhjeve të tetorit në Serbi, në të cilat Partia Përparimtare Serbe (SNS) e ish-presidentit, Aleksandar Vuçiq, humbi pushtetin pas 14 vjetësh, shkruan Evropa e Lirë.

“Largimi i Radoiçiqit dhe Vesellinoviqit ngre pikëpyetje serioze për thellësinë e lidhjeve mes krimit të organizuar dhe pushtetit politik, si dhe për rolin e individëve në institucionet shtetërore të Serbisë”, vlerëson Sasha Gjorgjeviq nga organizata joqeveritare Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar.

Që nga tetori i vitit 2023, Radoiçiqi ishte nën hetime për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. Për këtë rast, por edhe për vepra të tjera penale, përfshirë krime lufte në Gjakovë, Prishtina ka lëshuar disa fletarrestime ndaj tij.

Tani edhe Beogradi ka lëshuar një fletarrestim, pasi ai nuk është paraqitur në polici më 15 nëntor, pavarësisht detyrimit ligjor.

Ndërkohë, ndaj Vesellinoviqit nuk është zhvilluar asnjë procedurë edhe pse ai, me ndihmën e shtetit, zhvillonte biznese milionëshe, nga të cilat Radoiçiqi u tërhoq pas ngjarjeve në Banjskë.

Ndërkohë, të dy janë në “listën e zezë” të Uashingtonit prej gati pesë vjetësh, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.

“Sa i përket Vesellinoviqit, institucionet përgjegjëse duhet t’i verifikojnë akuzat serioze dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për nisjen e një hetimi”, thekson Gjorgjeviq.

Nuk dihet se ku ka udhëtuar Vesellinoviqi gjatë viteve të fundit, por Radio Evropa e Lirë (REL) ka zbuluar se ai ka qenë të paktën një herë në Rusi.

Pamjet e publikuara në vitin 2023 e tregojnë atë duke gjuajtur në Kamçatkë.

Ai mori pjesë në një ekspeditë gjuetie të organizuar për klientë të pasur nga gjahtari dhe blogeri rus Dmitry Panov.

Panovi është kritikuar në Rusi për promovimin e gjuetisë së specieve të mbrojtura dhe përdorimin e metodave të diskutueshme.

Akuzat për mënyrën e gjuetisë e shoqërojnë edhe Vesellinoviqin, i cili në vitin 2024 priti në Serbi gjahtarin rus.

Ku është Zvonko Veselinoviqi?

Nuk dihet.

Burime të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë kanë konfirmuar për REL-in se më 11 nëntor ai ka udhëtuar drejt Turqisë përmes këtij shteti.

Ai është larguar nga Aeroporti i Sarajevës në orët e hershme të mëngjesit, duke përdorur pasaportën serbe.

Sipas burimeve të REL-it, me Vesellinoviqin ishte edhe vëllai i tij, Zharko, i cili po ashtu është nën sanksionet amerikane.

Ata janë nisur nga Sarajeva drejt Stambollit me një fluturim të rregullt të udhëtarëve.

Nuk dihet arsyeja e largimit të tyre nga Serbia, e as nëse Turqia ishte destinacioni i tyre përfundimtar.

Po ashtu nuk dihet nëse e kanë vazhduar udhëtimin drejt një destinacioni tjetër, në kohën kur në një pjesë të opinionit publik po qarkullonin aludime jozyrtare se Millan Radoiçiqi kishte ikur në Rusi.

Kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

REL-i është përpjekur të kontaktojë Vesellinoviqët përmes kompanisë së ndërtimit “Inkop”, pronarë të së cilës janë ata, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Sipas informacioneve, ndaj Zvonko Veselinoviqit aktualisht nuk po zhvillohet asnjë procedurë penale në Serbi, prandaj ai ka mundur të largohet lirisht nga vendi.

Gjatë viteve të fundit, ai është gjykuar dy herë për keqpërdorime dhe shpërdorim të pozitës zyrtare. Në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm.

“Për këtë arsye, nuk mund të themi se ai i është shmangur ndjekjes penale për ndonjë vepër konkrete. Megjithatë, fakti që është larguar menjëherë pas ndryshimit të rrethanave politike ngre pikëpyetjen nëse pozita e tij në Serbi varej nga marrëdhënia e afërt me pushtetin e mëparshëm”, vlerëson Gjorgjeviq.

Rruga drejt Rusisë

“Lidhjet jashtë vendit, paratë dhe njohjet mund ta vështirësojnë kërkimin”, shton Gjorgjeviq.

Sanksionet amerikane dhe britanike mund t’ia kenë vështirësuar Vesellinoviqit udhëtimet drejt vendeve perëndimore pas vitit 2021.

Nuk dihet se ku ka udhëtuar, por REL-i ka konstatuar, bazuar në pamjet e publikuara në YouTube, se ai ka shkuar të paktën një herë në Rusi.

Mikpritësi i tij ishte gjahtari dhe blogeri Dmitry Panov, i cili organizon ekspedita gjuetie nëpër Rusi për klientë të pasur dhe realizon emisione për kanalin e tij në YouTube dhe versionin rus të Rutube.

Panovi dhe përfaqësuesit e tij nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për aktivitetet e tyre dhe lidhjet me Zvonko Vesellinoviqin.

Ndërkaq, videoja në kanalin e tij në YouTube, ku ata shfaqen duke gjuajtur në Kamçatkë, në Lindjen e Largët të Rusisë, u bllokua pasi REL-i u dërgoi pyetje.

Në pamjet e vitit 2023, të cilat ishin të qasshme deri më 18 nëntor, shihet Zvonko Vesellinoviq, i shoqëruar nga vëllai i tij, Zharko, dhe disa persona të tjerë, duke gjuajtur dre dhe arinj.

“Kësaj radhe kemi një shoqëri të shkëlqyer. Kanë ardhur vëllezërit tanë serbë”, thuhej në përshkrimin e videos 45-minutëshe në kanalin e Dmitry Panovit, me emrin “Gjuetia në Rusi”.

Videoja përmban shumë skena të shtënash ndaj kafshëve për trofe, ndërsa blogeri thotë se janë vrarë dy arinj dhe 14 dre.

Panovi njoftoi gjithashtu se “vëllezërit serbë”, siç i quajti Vesellinoviqët, kishin rezervuar edhe një ekspeditë tjetër gjuetie në Rusi.

Gjuetia e organizuar nga Vesellinoviqi

Vesellinoviqi ia ktheu mikpritjen Panovit dhe e priti atë në një ekspeditë gjuetie në Serbi, siç tregon një video e publikuar në mars të vitit 2024, e cila gjithashtu u bllokua në YouTube pas pyetjeve të REL-it.

“Gjueti në fushë dhe në mal” – kështu e përshkruan Panovi ekspeditën nëpër Serbi në këtë video.

Edhe pse vendndodhjet nuk përmenden me emra, REL-i ka arritur të identifikojë tri vende ku është zhvilluar gjuetia: Moroviqi në veri të Serbisë, pranë kufirit me Kroacinë, si dhe zonat jugperëndimore përreth Rashkës dhe malit Golija.

Gjatë ekspeditës janë gjuajtur derra të egër, ndërsa Panovi publikoi se brenda dy ditësh kishin vrarë 17 të tillë.

Lëvizja “Fillo, ndrysho”, e cila ka marrë pjesë në protestat dyvjeçare kundër pushtetit të Vuçiqit, kërkoi reagimin e autoriteteve përgjegjëse, duke e akuzuar Zvonko Vesellinoviqin për gjueti të paligjshme.

Në një postim në Instagram më 12 nëntor, ajo publikoi pretendimet se gjatë viteve të fundit qindra derra të egër ishin kapur ilegalisht në kurthe dhe ishin transferuar në një kompleks të rrethuar gjuetie në Golija, i cili lidhet me Vesellinoviqin.

Drejtoria e Pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë të Serbisë, e cila sipas ligjit është e obliguar të mbikëqyrë aktivitetet e gjuetisë, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it deri në publikimin e këtij teksti.

Ndërkohë, reagoi ndërmarrja publike “Pyjet e Serbisë”, e cila administron 27 vendgjueti në Serbi.

Kjo ndërmarrje tha për REL-in se se në vendgjuetitë që administron nuk ka pasur aktivitete të paligjshme që lidhen me Zvonko Vesellinoviqin.

Kush është Dmitry Panov?

Kaprollë siberianë, dre, arinj – të gjitha këto u ofrohen gjuetarëve nga Rusia dhe e gjithë bota, në mënyrë që, nën organizimin e Dmitry Panovit, të gjuajnë kafshë.

Këto ture gjuetie, çmimi i të cilave arrin në qindra mijëra rubla, ai i përshkruan si “hobi për të zgjedhurit”.

Ndër klientët e tij të pasur ka edhe milionerë të afërt me regjimin aktual rus të Vladimir Putinit.

Panovi ka përfaqësues në Serbi, Poloni dhe Gjermani, të cilët ndërmjetësojnë kontaktet me gjuetarët e interesuar.

Përfaqësuesja e tij në Serbi deri në publikimin e artikullit nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për aktivitetet e Panovit dhe lidhjet e tij me Zvonko Vesellinoviqin.

Nuk dihet publikisht se kush janë të gjithë klientët e këtij gjahtari dhe blogeri rus. Emrat e tyre nuk publikohen për arsye privatësie.

Megjithatë, disa prej tyre mund të identifikohen përmes videove dhe raportimeve mediatike.

Kështu, në mars të vitit 2023 u publikua një video e një ekspedite gjuetie në Osetinë e Jugut, një rajon i shkëputur nga Gjeorgjia, pavarësinë e të cilit e mbështet Rusia.

Në video, siç kanë bërë të ditur organizatat për mbrojtjen e natyrës, shihet vrasja e një specieje të mbrojtur – ariut të murrmë, gjuetia e të cilit është e ndaluar.

Videoja tregoi gjithashtu se Panovin, në një bazë gjuetie brenda një rezervati natyror, e kishte pritur Alan Gaglojev, presidenti i atëhershëm i Osetisë së Jugut që nuk njihet ndërkombëtarisht, aktualisht këshilltar i Putinit.

Ky veprim i Gaglojevit nxiti kritika nga një pjesë e opinionit publik.

Blogeri dhe gjuetari Panov është kritikuar edhe nga disa organizata për mbrojtjen e kafshëve, për promovimin e gjuetisë së specieve të rralla në Rusi, si arinjtë e Kamçatkës dhe delet e dëborës.

Ndërsa Panov deklaron në media se gjuan në përputhje me ligjet dhe lejet përkatëse, vëmendje ka tërhequr edhe mënyra se si gjuan – si ndjekja e kafshëve të egra me helikopterë dhe motorë bore, si dhe gjuetia në pritë, duke përdorur vende ku vendoset ushqim për kafshët.

Baza e tij e gjuetisë, të cilën e promovon në rrjetet sociale, ndodhet në rajonin e Kurganit, pranë maleve Urale.

Zona të tilla të gjuetisë janë kritikuar nga një pjesë e opinionit publik në Rusi, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si sigurohen lejet për shfrytëzimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës. Kjo pasi bazat e rrethuara, që komercializojnë “gjuetinë për klientelën VIP”, ua vështirësojnë banorëve lokalë qasjen në këto territore.

Për çfarë akuzohet Zvonko Vesellinoviq?

Në raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilin u arsyetuan sanksionet e vitit 2021, Zvonko Vesellinoviq përshkruhet si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, ndërsa Radoiçiqi si zëvendësi i tij.

Sipas raportit, grupi kriminal është i përfshirë në kontrabandimin e narkotikëve, armëve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në skemën korruptive përmenden edhe politikanë, të cilëve Vesellinoviqi, sipas raportit, u kishte ndihmuar gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa ata në këmbim e “shpërblenin me kontratat më të mira infrastrukturore”.

Emrat e këtyre politikanëve nuk janë bërë të ditur.

Përveç SHBA-së, Radoiçiqi dhe Vesellinoviqi janë nën sanksionet e Mbretërisë së Madhe që nga viti 2022, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Teksa në Serbi nuk pati pasoja, sanksionet janë ligjërisht të detyrueshme për kompanitë dhe qytetarët amerikanë e britanikë, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me personat që gjenden në listën e zezë.

Megjithatë, pushteti i Vuçiqit në Serbi nuk i mori parasysh “listat e zeza” perëndimore dhe u ndau kontrata fitimprurëse kompanive të Vesellinoviqit, të cilat gjithashtu janë nën sanksione, përfshirë projekte të ndërtimit të rrugëve.

Prishtina zyrtare i ka lidhur Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin me vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e politikanit nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Autoritetet e Kosovës e kanë lidhur Vesellinoviqin edhe me organizimin e barrikadave dhe trazirave në veri të Kosovës, si dhe me kontrabandimin e naftës, drogës dhe armëve.

Beogradi, megjithatë, të paktën zyrtarisht, nuk i ka hetuar këto akuza. /Rel/