
Rusia duhet të shmangë çdo veprim që mund të çojë në zgjerimin e luftës në Ukrainë, kanë deklaruar të mërkurën presidenti amerikan, Donald Trump, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas një takimi të zhvilluar në Florida, ku diskutuan edhe për konfliktin në Iran.
Takimi mes dy liderëve u zhvillua në një kohë kur Trumpi, i cili vazhdimisht ka kritikuar aleatët perëndimorë të SHBA-së, kishte zhvilluar javën e kaluar takime në Azi me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin kinez, Xi Jinping, duke iu referuar të dyve si “miku” i tij.
“Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që, me ose pa qëllim, mund ta zgjerojë luftën, si dhe rëndësinë e arritjes sa më të shpejtë të një zgjidhjeje paqësore të konfliktit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Trumpit dhe Ruttes.
Takimi i Trumpit me Putinin ka nxitur reagime të ashpra nga kundërshtarët e tij demokratë në SHBA, si dhe nga aleatët evropianë, të cilët kanë kërkuar të jenë pjesë e bisedimeve të mbështetura nga Washingtoni për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ndërkaq, Rutte, i cili vazhdimisht është përpjekur të ulë tensionet brenda NATO-s dhe të ruajë mbështetjen e presidentit amerikan, ka deklaruar se takimet ndërmjet fuqive të mëdha bërthamore janë normale.
Sipas deklaratës së përbashkët, Trumpi dhe Rutte kanë diskutuar edhe për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe për investimet në SHBA dhe në vendet anëtare të NATO-s.
Lufta në Ukrainë dhe konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit kanë qenë temat kryesore të bisedimeve, por në deklaratë nuk janë dhënë detaje të mëtejshme lidhur me diskutimet për Iranin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka qenë vazhdimisht në shënjestër të kritikave të Trumpit, ka kërkuar që Evropa të përfshihet në negociatat për arritjen e paqes në Ukrainë.
Në anën tjetër, Trumpi ka kritikuar vazhdimisht aleatët perëndimorë për çështje që lidhen me shpenzimet e NATO-s, tarifat tregtare dhe atë që ai e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme të tyre për luftën kundër Iranit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali