Kuvendi shqyrton pikat e mbetura nga seancat e kaluara|Live

Kuvendi shqyrton pikat e mbetura nga seancat e kaluara|Live

Written by

in

Gjatë vazhdimit të punimeve, deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave për pacientët onkologjikë.

Një tjetër pikë me rëndësi në rendin e ditës është votimi i propozim-rezolutës për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Përveç këtyre dy çështjeve, Kuvendi do të trajtojë edhe disa pika të tjera që kanë mbetur pa u përfunduar nga seanca e 19 nëntorit.

Në mesin e tyre janë procedimi i nismave legjislative të qytetarëve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet jo shumicë.

Po ashtu, në rend dite është edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Pas përfundimit të pikave të mbetura, Kuvendi ka të planifikuar edhe mbajtjen e seancës së rregullt, e cila është caktuar për në orën 13:00.

 

Burimi: RTKLive