Gjenden armë, 8 granata dore e mbi 2 mijë fishekë në dy objekte të pabanuara në Zubin-Potok

Gjenden armë, 8 granata dore e mbi 2 mijë fishekë në dy objekte të pabanuara në Zubin-Potok

Written by

in

Gjenden armë, 8 granata dore e mbi 2 mijë fishekë në dy objekte të pabanuara në Zubin-Potok

Në dy lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, mijëra fishekë, tetë granata dore dhe mjete të tjera, gjatë një operacioni të zhvilluar të martën, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët.

Sipas njoftimit të Policisë, kontrollet janë kryer më 13 tetor nga njësitë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, pas informacioneve se në dy lokacione mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.

Në rastin e parë, në një objekt të pabanuar në fshatin Parucë, që shërbente si stallë për ushqimin e bagëtive, policia ka gjetur dhe sekuestruar 141 fishekë të armës së gjatë, 21 fishekë të armës së gjatë me krehër, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, katër granata dore, një tytë të pushkës së gjuetisë dhe 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë.

Në këtë lokacion janë gjetur edhe një pajisje për mbushjen e fishekëve, katër kuti me barot, sfera për mbushjen e fishekëve të gjuetisë, kapëse dhe tamponë për fishekë, një maskë gazi ushtarake dhe një bajonetë ushtarake.

Ndërsa, në rastin e dytë, në një objekt të pabanuar në fshatin Ranqiq, janë gjetur një armë e shkurtër (pistoletë), katër granata dore dhe 2 mijë e 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në të dy lokacionet janë sekuestruar gjithsej tetë granata dore, ndërsa numri i përgjithshëm i fishekëve të raportuar nga policia është 2 mijë e 220.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat i kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.

Lidhur me rastet, deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar. Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke i ftuar që të vazhdojnë të raportojnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Informacionet mund të raportohen në numrin emergjent 192.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjenden armë, 8 granata dore e mbi 2 mijë fishekë në dy objekte të pabanuara në Zubin-Potok appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali