
Është shtyrë seanca e sotme në Gjykatën e Apelit ndaj Arlind Ahmetit dhe Agron Vllasaliut, të dënuar me nga 17 vjet burgim në rigjykimin e katërt për rastin e vrasjes së ndodhur në nëntor të vitit 2017, në qendër të Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.
Dy të akuzuarit u sollën nga burgu në Gjykatën e Apelit, ku ishte paraparë të shqyrtoheshin ankesat ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.
Mirëpo, seanca u shty pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, duke ngritur shqetësime lidhur me përbërjen e tij dhe vendimmarrjen e mëhershme në këtë çështje penale.
Mbrojtja argumentoi se i njëjti trup gjykues e kishte kthyer dy herë rastin në rigjykim, ndërsa Gjykata Themelore kishte marrë dy herë vendime të njëjta.
Për këtë arsye, mbrojtja kërkoi përjashtimin e trupit gjykues nga shqyrtimi i kësaj çështjeje.
Nëntë vjet nga vrasja, katër rigjykime dhe disa aktgjykime dënuese
Më 4 gusht 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykimin e katërt, shpalli fajtorë Ahmetin dhe Vllasaliun për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, e kryer me dashje eventuale”, duke i dënuar me nga 15 vjet burgim.
Ndërkaq, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, secili u dënua me nga dy vjet e gjashtë muaj burgim.
Gjykata ndaj tyre shqiptoi dënim unik prej nga 17 vjetësh burgim.
Ky rast ndër vite ka kaluar nëpër disa procese gjyqësore, anulime të aktgjykimeve dhe ricilësime të veprës penale.
Fillimisht, në prill të vitit 2019, Arlind Ahmeti ishte dënuar me 17 vjet burgim, ndërsa Agron Vllasaliu ndodhej në arrati.
Në dhjetor të vitit 2022, të dy ishin dënuar me nga 21 vjet burgim, mirëpo aktgjykimi ishte anuluar nga Gjykata e Apelit.
Në tetor të vitit 2024 dhe më pas në tetor të vitit 2025, Gjykata Themelore i kishte dënuar me nga 16 vjet burgim, pas ricilësimit të veprës penale në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Më 17 prill 2026, Gjykata e Apelit, duke aprovuar ankesën e Prokurorisë, anuloi sërish aktgjykimin dhe e ktheu çështjen në rigjykim.
Sipas aktakuzës, Ahmeti dhe Vllasaliu akuzohen se më 24 nëntor 2017, në bazë të një marrëveshjeje paraprake, kanë privuar nga jeta N.S., si dhe kanë rrezikuar jetën e pesë personave të tjerë.
Tashmë, nëntë vjet pas ngjarjes, procesi gjyqësor vazhdon në Gjykatën e Apelit, ku shqyrtimi i rastit është shtyrë pas kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e trupit gjykues.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali