
Parlamenti Evropian ka miratuar sot në Strasburg një rezolutë në shënim të 35-vjetorit të rënies dhe shkatërrimit të qytetit kroat të Vukovarit, përmes së cilës i bën thirrje Serbisë të hapë arkivat shtetërore për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
Kjo është rezoluta e parë që i kushtohet posaçërisht vuajtjeve të qytetit kroat. Ajo u iniciua nga eurodeputeti Karlo Ressler, anëtar i HDZ-së dhe i Partisë Popullore Evropiane (EPP), ndërsa në dokument theksohet se kujtesa për Vukovarin nuk i përket vetëm Kroacisë, por gjithë Evropës.
Në rezolutë shprehet nderim për viktimat e Vukovarit, ndërsa përmenden edhe krimet e kryera në fermën e Ovçarës, në kampet e burgimit të ngritura nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA), si dhe në qendrën Velepromet, ku u mbajtën të burgosur gjatë luftës.
Dokumenti përmend gjithashtu fjalimin e Slobodan Millosheviqit në Gazimestan më 1989 dhe konceptin e “Serbisë së Madhe”, si dhe kërkimfaljen e ish-presidentit serb Boris Tadiq në Ovçarë më 2010.
Një nga kërkesat kryesore të rezolutës është hapja e arkivave shtetërore të Serbisë, në mënyrë që të ndihmohet zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Kroacia ende kërkon 1.725 persona të zhdukur, ndërsa dokumenti thekson se familjet e tyre, pavarësisht përkatësisë kombëtare, duhet të marrin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm çdo formë të mohimit, minimizimit apo glorifikimit të krimeve të luftës. Në këtë kontekst, në rezolutë përmenden edhe nderimet e bëra për Ratko Mlladiqin gjatë varrimit të tij në Beograd, në shtator të këtij viti.
Miratimi i rezolutës erdhi pas tërheqjes së një propozimi alternativ të grupit liberal, të paraqitur nga eurodeputeti austriak Helmut Brandstätter. Organizatat joqeveritare nga Kroacia dhe rajoni kishin mbështetur këtë version, pasi ai u bënte thirrje të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën, që të bashkëpunonin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Në Kosovë, ndërkaq, 1.579 persona vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur nga lufta e fundit.
Votimin nga galeria e Parlamentit Evropian në Strasburg e ndoqën banorë të Vukovarit, familjarë të personave të zhdukur dhe të vrarë, si dhe ish-të burgosur të kampeve, të cilët kishin udhëtuar me ftesë të eurodeputetit Ressler.
Rezoluta kishte nxitur reagime edhe në Serbi para votimit. Studentët që po zhvillojnë protesta dhe bllokada në vend e kundërshtuan dokumentin, duke pretenduar se ai nuk i merr parasysh viktimat serbe.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali