“Humanizëm në shëndetësinë e Kosovës s’ka”, Berat Dakaj rrëfen përvojën e rëndë me babanë në QKUK

“Humanizëm në shëndetësinë e Kosovës s’ka”, Berat Dakaj rrëfen përvojën e rëndë me babanë në QKUK

Written by

in

“Humanizëm në shëndetësinë e Kosovës s’ka”, Berat Dakaj rrëfen përvojën e rëndë me babanë në QKUK

Berat Dakaj ka ngritur shqetësime për mungesën e barnave, materialeve dhe pajisjeve mjekësore në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, duke rrëfyer përvojën e familjes së tij gjatë trajtimit të babait. Ai ka treguar se për kryerjen e një ekzaminimi PET/CT fillimisht u ishte thënë se mungonte materiali dhe se duhej të prisnin deri në dy javë, por pas ndërhyrjes përmes lidhjeve, shërbimi ishte kryer menjëherë.

Ai ka rrëfyer se babait të tij, para fillimit të kimioterapisë, mjekët i kishin kërkuar të kryente ekzaminimin PET/CT në Mjekësinë Nukleare në Prishtinë. Megjithatë, kur ishte paraqitur për këtë shërbim, familja ishte njoftuar se nuk kishte material dhe se duhej të priste një ose dy javë.

“Para se ta fillojmë kimioterapinë, duhet të bësh PET/CT”, i kishin thënë mjekët, ndërsa në Mjekësinë Nukleare, sipas rrëfimit të Dakajt, familjes i kishin thënë: “Nuk kemi material për ta bërë. Duhet të pritni ndoshta një javë, ndoshta dy, derisa të na vijë materiali. Lërna një numër të celularit dhe ju njoftojmë sapo të në vijë materiali. Nëse e keni për ngut, shkoni bëjeni privat”.

Dakaj ka treguar se më pas, pas një lidhjeje të siguruar nga motra e tij, familjes i ishte ofruar mundësia që babai ta kryente ekzaminimin të shtunën. Kështu, materiali që fillimisht ishte thënë se mungonte, ishte siguruar menjëherë.

Sipas tij, gjatë asaj dite shërbimin e kishin marrë dhjetë pacientë, ndërsa kjo përvojë e ka shtyrë të shtrojë pyetje për mënyrën e furnizimit dhe shpërndarjes së materialeve në QKUK.

“A ka inspektorë që bëjnë inspektime për materiale në QKUK? Pse për babanë tim, dhe për nëntë të tjerë, u gjettë materiali të shtunën e për sa e sa të tjerë jo? A është humanizëm ky? Jo!”, ka shkruar ai.

Dakaj ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e pajisjes Port-a-Cath, të cilën onkologu ia kishte kërkuar babait të tij pas rezultateve të ekzaminimit. Sipas tij, familja ishte njoftuar se kjo pajisje mungonte në Onkologji dhe në Kirurgjinë Vaskulare, ndërsa nuk kishte arritur ta gjente as në barnatoret e Prishtinës.

Ai ka thënë se në fund pajisjen e kishte siguruar në tregun e zi, për 360 euro.

“Si mund të ketë ky djalë Port-a-Cath e mos ta kenë klinikat e QKUK-së dhe barnatoret? Si mund të kenë fasha, dhjetë euro një copë, tetë copa tetëdhjetë euro sa i duhen tim ati, barnatoret private e mos të kenë klinikat e QKUK-së?!”, ka pyetur Dakaj.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe përvojën e babait në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, ku kishte kryer një rentgen të mushkërive. Sipas Dakajt, babait nuk i ishte dhënë filmi i rentgenit për shkak të mungesës së materialit, ndërsa nuk kishte marrë as raport nga radiologu, me arsyetimin se institucioni nuk kishte specialistë përkatës.

Familjes, siç ka rrëfyer ai, i ishte kërkuar ta fotografonte pamjen e rentgenit nga ekrani i kompjuterit dhe të kërkonte konsultë te radiologu dhe pulmologu privat.

Dakaj ka kritikuar gjendjen në sistemin publik shëndetësor, duke kërkuar më shumë përgjegjësi për mungesat dhe trajtimin e pacientëve. Ai ka theksuar se problemet në këtë sektor nuk kufizohen vetëm te mungesa e barnave dhe pajisjeve, por edhe te mënyra e ofrimit të shërbimeve për qytetarët.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali