Gjermania ndryshon rregullat për çmimet e karburanteve nga janari, përfundon ulja e taksave dhe vendoset kufiri maksimal i çmimeve

Gjermania ndryshon rregullat për çmimet e karburanteve nga janari, përfundon ulja e taksave dhe vendoset kufiri maksimal i çmimeve

Written by

in

Shoferët në Gjermani pritet të përballen me ndryshime në çmimet e benzinës dhe naftës nga 1 janari 2027, pasi qeveria federale planifikon të vendosë një kufi maksimal për çmimet e karburanteve.

Masa synon të kufizojë rritjet e tepruara të çmimeve në pompa dhe të lehtësojë barrën financiare për qytetarët.

Sipas informacionit të publikuar nga Klubi Gjerman i Automobilave (ADAC), masa e re do të hyjë në fuqi pas përfundimit të uljes së përkohshme të taksës së energjisë për benzinën dhe naftën, e cila skadon më 31 dhjetor 2026.

Ulja aktuale e taksës është 14 centë për litër, ndërsa duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së, lehtësimi për konsumatorët arrin afërsisht 17 centë për litër. Kjo masë është paraparë të vlejë deri në fund të vitit, transmeton Telegrafi.

Nga 1 janari, në vend të kësaj lehtësie, qeveria synon të aplikojë një mekanizëm të ri për kontrollin e çmimeve. Sipas modelit të planifikuar, pikat e karburantit nuk do të lejohen të shesin benzinë dhe naftë mbi kufirin maksimal të përcaktuar nga shteti. Megjithatë, ato do të mund të ofrojnë çmime më të ulëta.

Modeli pritet të bazohet në sistemet që përdoren në Belgjikë dhe Luksemburg, ku çmimet maksimale përcaktohen përmes një formule që merr parasysh çmimin e naftës bruto, shpenzimet e rafinerive, transportin, magazinimin dhe taksat.

Kufiri i ri nuk do të jetë një çmim fiks, si për shembull 1.80 euro për litër, por një kufi dinamik që mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare. Respektimi i tij pritet të mbikëqyret nga autoritetet përkatëse të konkurrencës në Gjermani, ndërsa për shkeljet parashikohen masa ndëshkuese.

Fillimisht, mekanizmi planifikohet të zbatohet për tre muaj, pas së cilës do të vlerësohet nëse duhet të vazhdojë. Qeveria synon që projektligji i rishikuar dhe rregullorja përkatëse të miratohen në mbledhjen e kabinetit më 2 dhjetor 2026.

Megjithatë, shoferët nuk duhet të presin domosdoshmërisht ulje të menjëhershme të çmimeve. Sipas ADAC-ut, masa mund të parandalojë rritjet e pajustifikuara dhe fitimet e tepërta të kompanive të naftës, por nuk garanton benzinë dhe naftë më të lirë në çdo rast.

Nëse çmimet ndërkombëtare të naftës bruto, transportit apo përpunimit rriten, edhe kufiri maksimal i lejuar në Gjermani mund të përshtatet. ADAC paralajmëron se efekti i masës në çmimet mesatare ditore mund të jetë i kufizuar.

Kështu, nga fillimi i vitit 2027, shoferët në Gjermani do të kalojnë nga një lehtësim i përkohshëm përmes uljes së taksave në një sistem të ri të kontrollit të çmimeve, i cili synon të parandalojë abuzimet në tregun e karburanteve. ./Telegrafi/