Zbulohet kush do të jetë shefi i ri i Bankës Qendrore Evropiane

Zbulohet kush do të jetë shefi i ri i Bankës Qendrore Evropiane

Written by

in

Ekonomisti spanjoll Pablo Hernández de Cos është zgjedhur pasardhës i Christine Lagarde në krye të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), pas arritjes së një marrëveshjeje mes liderëve të vendeve të eurozonës në samitin e mbajtur në Bruksel.

Ai pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 7 shkurt 2027, kur Lagarde do të largohet nga posti, rreth nëntë muaj para përfundimit të mandatit të saj tetëvjeçar.

De Cos, 56 vjeç, ishte në garë me ish-guvernatorin e Bankës Qendrore të Holandës, Klaas Knot. Megjithatë, kandidatura e ekonomistit spanjoll siguroi mbështetjen e shumicës së vendeve të eurozonës, ndërsa Holanda përfundimisht u pajtua me konsensusin e krijuar rreth tij.

Me këtë emërim, Spanja do të marrë për herë të parë drejtimin e institucionit që përcakton politikën monetare për vendet që përdorin euron, shkruajnë mediat.

De Cos ka shërbyer si guvernator i Bankës së Spanjës nga viti 2018 deri më 2024, ndërsa aktualisht është drejtor i përgjithshëm i Bankës për Shlyerjet Ndërkombëtare (BIS). Gjatë karrierës së tij ka qenë gjithashtu i përfshirë në punën e organeve ndërkombëtare për mbikëqyrjen bankare dhe stabilitetin financiar.

Marrëveshja për emërimin e tij është pjesë e një dakordimi më të gjerë mes Francës dhe Gjermanisë për plotësimin e tri pozitave të rëndësishme në BQE.

Gjermania pritet të marrë pozitën e kryeekonomistit, përmes ekonomistit Markus Brunnermeier, ndërsa Franca atë të përgjegjësit për operacionet e tregut, përmes Laurence Boone.

De Cos do të marrë drejtimin e institucionit në një periudhë të ndërlikuar për ekonominë evropiane, me inflacionin sërish në rritje, pasojat e krizës energjetike dhe shqetësimet për borxhin publik të disa vendeve të eurozonës.

Një nga detyrat kryesore do të jetë rikthimi i inflacionit drejt objektivit prej dy për qind, pa dëmtuar rritjen ekonomike të vendeve anëtare.

Ai do të duhet të merret edhe me çështje të tjera strategjike, përfshirë projektin e euros digjitale, stabilitetin e tregjeve financiare dhe menaxhimin e borxheve shtetërore.

Emërimi i tij duhet të kalojë edhe nëpër procedurat përkatëse të institucioneve evropiane, përpara konfirmimit përfundimtar në dhjetor. /Telegrafi/