
Policia e Kosovës ka prezantuar kapacitetet e Njësisë së Dronëve dhe Antidronëve, përmes një demonstrimi praktik të përdorimit të dronëve në skenarë të ndryshëm operacionalë policorë.
Aktiviteti është mbajtur më 26 nëntor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri, ku janë prezantuar mundësitë teknologjike dhe profesionale të kësaj njësie.
Në këtë demonstrim kanë marrë pjesë zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorët e Italisë, Francës dhe Belgjikës, si dhe përfaqësues të OSBE-së, EULEX-it, Doganës së Kosovës dhe institucioneve të tjera.
Skenari demonstrues është realizuar nga Njësia e Dronëve dhe Antidronëve, me asistimin operacional të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Operative.
Sipas njoftimit, aktiviteti kishte për qëllim prezantimin e ndërveprimit mes teknologjisë dhe kapaciteteve profesionale në mbështetje të operacioneve policore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ky aktivitet dëshmon avancimin e kapaciteteve të saj teknologjike dhe profesionale, si dhe rezultatet e trajnimeve të realizuara në kuadër të projektit HAPE dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali