
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se perspektiva e investimeve ekonomike në Shqipëri lidhet me përmbushjen e reformave.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, ka theksuar se këto reforma janë kushti i parë për tërheqjen e investimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ajo nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe komunikimit gjatë procesit të integrimit europian, ku sugjeroi edhe takim ku do të përfshihen edhe paragjykimet ndaj Shqipërisë dhe për t’i kapërcyer ato së bashku.
Në këtë kontekst, Kos ndau edhe një përvojë personale nga vizita e saj turistike në Shqipëri, ku tregoi se kishte kaluar pushimet së bashku me bashkëshortin në Theth, transmeton Klankosova.tv.
“Edhe ne duhet t’i përmirësojmë ato. Ky është një proces në të cilin transparenca dhe komunikimi janë shumë të rëndësishëm. Ajo që sugjeroj është që, herën tjetër që të vij në Shqipëri, të organizojmë një takim me përfaqësuesit e bizneseve. Gjithçka që ju përfaqësoni këtu është shumë e rëndësishme.
Begatia e Shqipërisë është e mundur. Së pari duhet të kryhen reformat dhe më pas do të vijnë investimet. Kështu rritet begatia dhe përmirësohet cilësia e jetës. Sa më pranë vijës së finishit të jeni, aq më pak do të keni nevojë për mua.
Ka shumë paragjykime dhe ne të gjithë duhet të punojmë për këtë çështje. Një koment personal nga ana ime: do të thoja se kam kaluar pushimet në Shqipëri së bashku me bashkëshortin. Nuk i kam thënë askujt, por kemi përshkuar 4 mijë kilometra me makinë, nga këtu deri në Theth. U ngjitëm atje, kemi pirë çaj dhe ju keni çajra fantastikë.
Nuk kam takuar njerëz kaq të mirë dhe nuk kam vizituar vende kaq të bukura. E rëndësishme është që të ndjekim objektivin. E di që nuk do të kemi të gjithë të njëjtat mendime dhe mund të mos biem dakord për të njëjtat gjëra”, tha Marta Kos.