
Ismail Dibrani ka njoftuar për përfundimin e angazhimit të tij në krye të Shërbimit Korrektues të Kosovës, për të vazhduar karrierën profesionale në një institucion tjetër.
Përmes një mesazhi lamtumirës, Dibrani ka falënderuar zyrtarët korrektues, institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe mediat për bashkëpunimin ndër vite.
Dibrani ka përmendur edhe disa nga arritjet gjatë udhëheqjes së tij, përfshirë rekrutimin e mbi 400 zyrtarëve korrektues, përfshirjen e më shumë se 5 mijë të burgosurve në programe rehabilituese, avancimin e infrastrukturës dhe anëtarësimin e Kosovës në Rrjetin Evropian të Shërbimeve Korrektuese dhe Burgjeve (EuroPris).
“Jam krenar që po largohem duke lënë pas rezultate konkrete, kapacitete të fuqizuara, bashkëpunime të konsoliduara dhe një institucion që ka dëshmuar se mund të jetë i barabartë me institucionet më të avancuara ndërkombëtare”, ka shkruar Dibrani.
Ai u ka uruar suksese të gjithë punonjësve të Shërbimit Korrektues, duke i ftuar të ruajnë profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin ndaj institucionit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali