
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë hasur në vështirësi për të arritur një marrëveshje lidhur me buxhetin afatgjatë të bllokut dhe kredinë e re prej 49 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila synon të mbulojë nevojat ekonomike dhe ushtarake të këtij shteti gjatë vitit të ardhshëm.
Në samitin e mbajtur të enjten në Bruksel, liderët evropianë kanë shfaqur dallime të thella lidhur me mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Disa vende kërkojnë shkurtime të shpenzimeve, ndërsa të tjerat insistojnë në ruajtjen e financimit për bujqësinë, infrastrukturën dhe politikat tradicionale të BE-së.
Njëkohësisht, vendet anëtare po kërkojnë më shumë mjete për përparësitë e reja, përfshirë mbrojtjen dhe mbështetjen për Ukrainën, e cila po përballet me luftën që po i afrohet vitit të pestë.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar kundër rritjes së borxheve, duke theksuar se Evropa duhet të sigurojë financa të qëndrueshme, por edhe të investojë në ekonomi dhe mbrojtje.
“Evropa ka nevojë për financa të qëndrueshme. Nuk mundemi dhe nuk duhet të marrim më shumë borxhe”, ka deklaruar Merz.
Ndërkohë, kryeministri holandez, Rob Jetten, ka kërkuar modernizimin dhe zvogëlimin e buxhetit, duke theksuar se pa ndryshime do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje.
Në anën tjetër, Franca dhe Italia udhëheqin grupin e vendeve të njohura si “Miqtë e Kohezionit”, të cilat kërkojnë ruajtjen e fondeve për fermerët dhe projektet infrastrukturore në vendet më pak të zhvilluara të BE-së.
Buxheti për periudhën 2028-2034 pritet të arrijë në 1 deri në 1.2 për qind të të ardhurave kombëtare bruto të vendeve anëtare.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u ka bërë thirrje liderëve që të tregojnë gatishmëri për kompromis, duke synuar arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit.
Megjithatë, mosmarrëveshjet e deritanishme kanë shtuar dyshimet se objektivi mund të mos realizohet në afatin e paraparë. Liderët evropianë pritet të takohen sërish më 18 dhe 19 dhjetor, për të vazhduar negociatat.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali