PSV ankohet në UEFA për Real Madridin: I trajtuan tifozët tanë si “kafshë” në stadium

PSV ankohet në UEFA për Real Madridin: I trajtuan tifozët tanë si “kafshë” në stadium

Written by

in

Pavarësisht humbjes së rëndë në Madrid, PSV Eindhoven ka një tjetër arsye për pakënaqësi ndaj Real Madridit. Klubi holandez është ankuar te UEFA dhe drejtuesit e klubit madrilen për trajtimin që iu bë tifozëve të tij në stadiumin “Santiago Bernabeu”, raporton Eindhovens Dagblad.

Real Madridi e mposhti PSV-në me rezultat 5-1 në Ligën e Kampionëve të martën, por në Eindhoven, ajo që shkaktoi më shumë zemërim sesa rezultati ishte përvoja e tifozëve holandezë në stadium.

PSV e ngriti këtë çështje në një takim me përfaqësuesit e UEFA-s dhe Real Madridit, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si u pritën përkrahësit e tyre.

Sipas Eindhovens Dagblad, tifozët e PSV-së u detyruan të prisnin më shumë se një orë para tribunës mysafire, përpara se të lejoheshin të hynin në stadium.

Problemet nuk përfunduan me kaq. Sipas klubit holandez, tifozët iu nënshtruan kontrolleve të përsëritura, ndërsa u konfiskuan edhe sende të tyre pa ndonjë arsye të qartë.

Po ashtu, pati vështirësi me verifikimin e biletave, pasi emri i shënuar në biletë duhej të përputhej plotësisht me atë në pasaportë. Disa tifozëve madje nuk iu lejua të uleshin pranë njëri-tjetrit, edhe kur bëhej fjalë për anëtarë të së njëjtës familje.

Sipas mediave holandeze, disa prej tifozëve në momente të caktuara janë ndier sikur po trajtoheshin si kafshë.

“Kishte shumë rregulla arbitrare dhe kjo nuk është mënyra se si ne në Holandë i mirëpresim tifozët mysafirë. Kjo është arsyeja pse na u duk e çuditshme që kjo po ndodhte në Real Madrid”, deklaroi një zëdhënës i PSV-së.

Në Madrid udhëtuan rreth 4.000 deri në 4.500 tifozë të PSV-së, ndërsa në tribunën mysafire ishin të pranishëm 3.875 prej tyre./Telegrafi/