
Pesë persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin se janë të përfshirë në disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda në lokale afariste, përfshirë fabrika dhe depo.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit dyshohet se kanë depërtuar në këto objekte duke përdorur forcën dhe mjete të forta, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe financiare.
Bazuar në deklarimet e viktimave, vlera e dëmit të shkaktuar arrin rreth 200 mijë euro.
Arrestimi i tyre është realizuar më 26 nëntor 2026, në kuadër të Planit Operativ “Vjedhjet e Rënda”, pas një pune intensive hetimore nga Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Fushë Kosovë.
Në bashkëpunim me Hetimet Rajonale dhe njësitë e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me urdhëresë të gjykatës janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme.
Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, telefona celularë dhe prova të tjera materiale që dyshohet se ndërlidhen me rastet nën hetim.
Pesë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali