Studentët dhe të rinjtë në Shqipëri themelojnë parti të re politike

Studentët dhe të rinjtë në Shqipëri themelojnë parti të re politike

Written by

in

Studentët dhe të rinjtë në Shqipëri themelojnë parti të re politike

Një grup studentësh, të rinjsh, profesionistësh dhe përfaqësuesish të diasporës kanë njoftuar themelimin e një force të re politike në Shqipëri, me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.

Grupi nismëtar ka bërë të ditur se iniciativa synon të krijojë një alternativë të re politike, të bazuar në drejtësi, meritokraci, transparencë dhe përgjegjshmëri, ndërsa ka nisur edhe procesin e mbledhjes së firmave të nevojshme për krijimin e subjektit politik.

Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e grupit kanë thënë se kjo nismë ka lindur nga një grup studentësh dhe është mbështetur nga të rinj, pedagogë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe shqiptarë të diasporës.

Ata kanë bërë të ditur se në javët në vijim planifikojnë të zhvillojnë takime me qytetarë në qytete dhe fshatra të Shqipërisë, si dhe me bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, me synimin për të zgjeruar mbështetjen për këtë projekt politik.

Sipas grupit themelues, partia e re synon të ofrojë një model tjetër qeverisjeje, ku institucionet funksionojnë mbi bazën e shtetit të së drejtës dhe ku çdo angazhim politik shoqërohet me objektiva të matshëm, afate dhe përgjegjësi konkrete.

Në deklaratën prezantuese, ata kanë theksuar se nuk synojnë të ndërtojnë një parti të përqendruar rreth një individi, duke paralajmëruar mandate të kufizuara për drejtuesit, llogaridhënie publike dhe mungesë privilegjesh për themeluesit.

“Ne nuk bëjmë premtime, ne vendosim standarde. Çdo angazhim yni do të ketë një objektiv të matshëm, një përgjegjës me emër, një kosto të llogaritur dhe një afat”, thuhet në deklaratën e grupit nismëtar.

Në fund, ata u kanë bërë thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që t’i bashkohen nismës, duke theksuar se synojnë të ndërtojnë një alternativë të re politike përmes bashkëpunimit me qytetarët.

Burimi: Sinjali