Një hekur nga punishtja godet veturën në magjistralen Prizren–Suharekë, qytetari dërgon pamje në Sinjal dhe alarmon për rrezikun që vazhdon

Një hekur nga punishtja godet veturën në magjistralen Prizren–Suharekë, qytetari dërgon pamje në Sinjal dhe alarmon për rrezikun që vazhdon

Written by

in

Një hekur nga punishtja godet veturën në magjistralen Prizren–Suharekë, qytetari dërgon pamje në Sinjal dhe alarmon për rrezikun që vazhdon

Një qytetar i është drejtuar Gazetës Sinjali për të denoncuar mungesën e masave të sigurisë në një vendpunishte në magjistralen Prizren–Suharekë, konkretisht në kilometrin e 26-të, pasi bashkëshortja e tij pësoi aksident kur një pjesë metalike nga punimet përfundoi në rrugë dhe goditi veturën e saj.

Rasti ka ndodhur më 13 nëntor 2026, derisa gruaja po qarkullonte me veturë në këtë magjistrale. Sipas qytetarit, një hekur i njohur si “pilot”, që ishte pjesë e punimeve, ka rënë në rrugë dhe e ka goditur automjetin.

Për fat të mirë, bashkëshortja e tij ka pësuar vetëm lëndime të lehta, por aksidenti ka shkaktuar dëme materiale në veturë dhe ka qenë mjaft tronditës për familjen.

Qytetari thotë se, ndonëse kanë kaluar gati dy javë nga aksidenti, kompania përgjegjëse nuk është interesuar për gjendjen e bashkëshortes së tij, madje as nuk ka kontaktuar familjen për të pyetur për pasojat e rastit.

Shqetësimi i tij kryesor, megjithatë, lidhet me faktin se punimet po vazhdojnë në të njëjtën mënyrë, pa masa të mjaftueshme mbrojtëse.

Ai i ka dërguar Sinjalit edhe pamje të realizuara sot, në të cilat, sipas tij, shihen hekurat e vendosur në kodër, pa mekanizma mbrojtës që do t’i pengonin të rrokulliseshin dhe të përfundonin në rrugë.

Qytetari pretendon se për këtë rrezik e kanë njoftuar edhe Policinë, por pavarësisht kësaj, gjendja në vendpunishte nuk ka ndryshuar.

Ai shpreh frikën se një incident i ngjashëm mund të përsëritet dhe kësaj radhe të ketë pasoja shumë më të rënda, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë dhe të sigurojnë vendin ku po zhvillohen punimet.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe kompaninë Arbotec, lidhur me aksidentin e 13 nëntorit dhe pretendimet e qytetarit për mungesë të masave të sigurisë në vendpunishte. Nga kompania është kërkuar sqarim për rastin dhe për masat që po ndërmerren për të parandaluar incidente të ngjashme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali