Zulfaj ka thënë se pas dy vitesh bllokadë në Kuvend, Kosova tash ka stabilitet institucional dhe se me Qeverinë në mandat të plotë dhe Kuvendin funksional është përshpejtuar ritmi i reformave.
Ai ka ritheksuar se asnjë reformë e paraparë në Planin e Rritjes nuk do të mbetet pa u përmbushur, përfshirë edhe ato që kanë kaluar afatin fillestar.
“Asnjë reformë e Planit të Rritjes nuk do të lihet pas. Reformat që kanë kaluar afatin do të përmbushen njësoj, sepse ato janë zotime ndaj qytetarëve tanë”, ka deklaruar Zulfaj.
Ai bëri të ditur se Kosova ka pranuar 61.8 milionë euro parafinancim, ndërsa kërkesa e parë për pagesë përfshin 20 hapa të përfunduar, për të cilët pritet vlerësimi përfundimtar nga Komisioni Evropian.
Sipas tij, aktualisht fokusi është në përmbushjen e 22 hapave me afat deri më 31 dhjetor, të cilët përfshijnë edhe dhjetë projektligje.
Gjatë takimit, Zulfaj propozoi që ekspertët e Bashkimit Evropian dhe TAIEX të përfshihen që në fazën fillestare të hartimit të ligjeve, në mënyrë që reformat të zbatohen më shpejt dhe në përputhje me standardet evropiane.
Ai foli edhe për procesin e integrimit në tregun e përbashkët, duke përmendur aplikimin e Kosovës për SEPA, përmes së cilës, sipas tij, qytetarët, bizneset dhe diaspora do të kursejnë mbi 50 milionë euro në vit.
Po ashtu, përmendi hapjen e negociatave për Roam Like at Home, përfundimin e projektit WiFi4WB në 33 komuna dhe lansimin e identitetit dhe portofolit digjital.
Në takim u diskutuan edhe pengesat që, sipas Zulfajt, vazhdojnë ta mbajnë Kosovën prapa në procesin e integrimit evropian. Ai përmendi bllokimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët që nga viti 2018, pamundësinë e udhëtimit me letërnjoftim drejt Bosnjë e Hercegovinës dhe çështjen e pazgjidhur të njohjes së diplomave me Serbinë.
Zulfaj theksoi se asnjë vend i rajonit nuk duhet të pengojë qasjen e një vendi tjetër në tregun e Bashkimit Evropian.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Kosova po përgatitet për fazën e ardhshme të integrimit, përfshirë përgatitjen e përgjigjeve për pyetësorin dhe krijimin e strukturave negociuese, në prag të katërvjetorit të aplikimit për anëtarësim në BE.
Burimi: RTKLive
