
Drini i Bardhë po humb sipërfaqe natyrore, vërshimet po përsëriten nga viti në vit, ndërsa nxjerrja e zhavorrit vazhdon të ngrejë pikëpyetje për dëmtimin e lumenjve dhe përgjegjësinë e institucioneve.
Hulumtimi i Kiks Kosova sjell të dhëna të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, sipas të cilave sipërfaqja e degraduar e Drinit të Bardhë është rritur për 167 hektarë, apo rreth 12 për qind, nga viti 2018 deri më 2024.
Ndërkohë, vërshimet që kanë goditur Kosovën ndër vite kanë shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi, biznese, rrugë dhe toka bujqësore, duke ngritur pikëpyetje edhe për ndikimin e ndërhyrjeve në shtretërit e lumenjve.
Hulumtimi trajton edhe rastet e eksploatimit të rërës dhe zhavorrit që kanë përfunduar në Prokurori.
Hulumtimi sjell të dhënat e Prokurorive të Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës për rastet e ndotjes dhe degradimit të mjedisit. Vetëm në rastin e eksploatimit të rërës dhe zhavorrit përreth Drinit të Bardhë, gjatë vitit 2025 u arrestuan 21 persona dhe u sekuestruan 40 mjete, me vlerë rreth dy milionë euro.
Ndërkaq, Prokuroria e Gjakovës raportoi 19 aktakuza ndaj 26 personave gjatë vitit 2025 dhe 11 aktakuza ndaj 16 personave gjatë vitit 2026, ndërsa Prokuroria e Pejës bëri të ditur se nga viti 2023 deri më 2025 kishte pranuar 80 kallëzime penale dhe kishte ngritur 63 aktakuza për vepra penale të kryera në lumenj dhe hapësirat përreth tyre.
Pavarësisht arrestimeve, aktakuzave dhe sekuestrimeve, degradimi i lumit vazhdon.
Hulumtimi trajton edhe rolin e Inspektoratit Mjedisor në mbikëqyrjen e gurthyesve, sfidat në terren dhe shqetësimet për efektivitetin e masave ndëshkuese.