Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, njoftoi se Kosova është asociuar zyrtarisht me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike.
“Sot në Luksemburg, Kosova u asociua zyrtarisht me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike, së bashku me vendet kandidate. Falënderoj Presidencën irlandeze të BE-së, Komisionerin McGrath dhe Komisioneren Kos për përfshirjen tonë në këtë nismë. Kosova nuk do të jetë thjesht pjesëmarrëse. Ne do të propozojmë dhe udhëheqim projekte, sepse përvoja jonë në përballjen me presionet e vazhdueshme janë te vlefshme për mbarë Evropën. Qëndrueshmëria nënkupton edhe emërtimin e hapur të kërcënimeve, përfshirë ato që vijnë nga brenda rajonit tonë”, ka shkruar ai në facebook”.
Zyrtarimi i këtij bashkëpunimi u bë në kuadër të pjesëmarrjes së Kryenegociatorit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Eveopian, Jeton Zulfaj, në ministerialin e organizuar nga Irlanda (Këshilli për Çështje të Përgjithshme i BE-së), si kryesuese e Presidencës së radhës e BE-së dhe ku morën pjesë ministrat e 27 shteteve anëtare, ministrat respektiv nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Në kuadër të këtij takimi, diskutimet u përqëndruan në mënyrat se si mund të thellohet bashkëpunimi praktik përmes projekteve fillestare prioritare të Qendrës, duke përfshirë menaxhimin e krizave, matjen e qëndrueshmërisë, shkëmbimin e metodologjive dhe standardeve, mbështetjen për sigurinë e jetës demokratike, si dhe zgjerimin e mundësive për trajnime në shtetet respektive.
“Zyrtarizimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Qendrës Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike shënon fillimin e një faze të re në përballjen me sfidat e përbashkëta si manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion e njohur si FIMI, përderisa Kosova mbetet cak i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese, përfshirë narrativat ruse që shpërndahen në rajon përmes Serbisë, me synim polarizimin shoqëror dhe minimin e zgjedhjes demokratike të qytetarëve”, ka thënë Kryenegociatori Zulfaj, duke vlerësuar se nga ky bashkëpunim do të përfitojnë jo vetëm institucionet e vendit, por e gjithë shoqëria dhe të qytetarët e Kosovës.
Kryenegociatori Zulfaj kishte marr pjesë edhe në ministerialin që u organizua nga kryesuesja e presidencës së BE-së – Qipro dhe Komisioni Evropian në Luksemburg në muajin qershor dhe ku Kosova ishte përfshirë në Mburojën e Demokracisë Evropiane, respektivisht në mekanizmat e kësaj iniciative, duke përfshirë kanalet e paralajmërimit të hershëm, protokollet e reagimit ndaj incidenteve, ushtrimet e reagimit të shpejtë, si dhe lidhjen e fakt-kontrolluesve (fact-checkers) dhe studiuesve nga Kosova me Observatorin Evropian të Medieve Digjitale (EDMO).
Burimi: RTKLive
