
Emocione dhe krenari ka përjetuar Bahtije Kastrati, nëna e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Brahim Kastrati, i njohur me nofkën e luftës “Dinamiti”, gjatë vizitës në ambientet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës.
Ajo kujtoi të birin, i cili ra dëshmor gjatë luftës, duke thënë se, pavarësisht dhimbjes për humbjen e tij, ndihet krenare që ai dha jetën për vendin dhe që sot ka mundësi të shohë ushtrinë e Kosovës, armatimin dhe kapacitetet e saj.
“Djalin tim e kam pasur ushtar. Ka qenë e dhimbshme kur e kanë vrarë, por kam qenë edhe e kënaqur që ka shkuar për vendin e vet, që ka ardhur kjo ditë me pa këtë armatim, këtë liri e këtë ushtri”, u shpreh ajo, sipas Ekonomia Online.
Kastrati tregoi se krenaria e saj është edhe më e madhe, pasi rrugën e shërbimit ndaj vendit e ka vazhduar edhe mbesa e saj, e cila është pjesëtare e FSK-së.
“Shumë e gëzueshme jam. Kam pasur qejf të kem përsëri dikë ushtar të FSK-së, por e kam vajzën e vajzës ushtare. Jam shumë e lumtur”, tha ajo.