Nëntori i vitit 2026 shënon 75-vjetorin e hapjes së Medresesë së Mesme “Alaudin” në Prishtinë, një institucioni që për shtatë dekada e gjysmë ka dhënë kontribut të rëndësishëm në edukimin, arsimimin dhe përgatitjen e kuadrove për nevojat e Bashkësisë Islame, si dhe në kultivimin e vlerave fetare, morale, shpirtërore e kombëtare.
E hapur për procesin mësimor në nëntor të vitit 1951, në rrethana të vështira politike, shoqërore dhe ekonomike, si dhe në kushte aspak të favorshme, Medreseja “Alaudin” për disa dekada ishte shkolla e vetme e këtij profili në gjuhën shqipe, ku të rinjtë shqiptarë të hapësirës së atëhershme jugosllave kishin mundësi të mësonin për din e iman, të edukoheshin në frymën e vlerave islame dhe të përgatiteshin për misionin e tyre të ardhshëm në shërbim të fesë dhe të popullit.
Historia e këtij institucioni nuk mund të kuptohet dhe as të vlerësohet drejt nëse shkëputet nga rrethanat historike në të cilat u themelua, nga sistemi politik e ideologjik në të cilin veproi për afro katër dekada, si dhe nga zhvillimet e mëvonshme politike e kombëtare nëpër të cilat kaloi Kosova. Në të vërtetë, historia 75-vjeçare e Medresesë “Alaudin” është më shumë sesa historia e një shkolle të mesme. Ajo përfshin përpjekjet për vazhdimin e arsimit islam në gjuhën shqipe, përgatitjen e kuadrove fetare, zhvillimin e institucioneve të Bashkësisë Islame, si dhe kontributin që ky institucion dha në rrethana të caktuara historike për arsimin, kulturën dhe çështjen kombëtare.
Prandaj, në këtë përvjetor, krahas vlerësimit të rezultateve të saj edukativo-arsimore, është me rëndësi të ndalemi edhe te rrethanat në të cilat veproi, te sfidat me të cilat u përball dhe te roli që pati në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës.
Burimi: Dukagjini
