​Mbeturinat inerte në rrugën “Nurije Zeka”, banorët alarmojnë për praninë e brejtësve

​Mbeturinat inerte në rrugën “Nurije Zeka”, banorët alarmojnë për praninë e brejtësve

Written by

in

Mbeturinat inerte në rrugën “Nurije Zeka” në Prishtinë po vazhdojnë të mbeten problem për banorët e kësaj zone, të cilët thonë se kjo gjendje po zgjat tash e më shumë se një muaj. Grumbujt e mbeturinave dhe papastërtia në këtë hapësirë publike kanë nxitur shqetësimin e banorëve, të cilët kërkojnë intervenim nga institucionet përgjegjëse.

Përveç ndotjes së ambientit, banorët kanë raportuar edhe praninë e insekteve dhe minjve në këtë hapësirë. Sipas tyre, gjendja e krijuar paraqet shqetësim jo vetëm për pamjen e zonës, por edhe për kushtet higjienike dhe sigurinë shëndetësore të qytetarëve që frekuentojnë këtë pjesë të kryeqytetit.

Violeta Hasani, kryetare e Komunitetit Lokal për Siguri Publike në Qendër, ka thënë se për këtë problem ka adresuar edhe email në Komunën e Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje. Ajo ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që kjo hapësirë përballet me grumbullim të mbeturinave, pasi sipas saj, edhe pas pastrimit të mëhershëm, problemi është përsëritur.

“Kjo gjendje i ka ndoshta një muaj, madje edhe më shumë. Kam dërguar email në Komunë, por fatkeqësisht Komuna nuk i përgjigjet komunitetit të qendrës dhe nuk bashkëpunon me të. Arsyet pse ndodh kjo nuk i di… 01:25 Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka vendosur këtë tabelë, ku thuhet se nuk guxojnë të hidhen mbeturina këtu. Ka qenë më herët edhe drejtori Leutrim Retkoceri, kanë ardhur dhe e kanë pastruar këtë pjesë. Pas pastrimit, përgjegjëse është edhe Drejtoria e Inspeksionit Komunal. Ajo është fajtore që nuk po i gjobit qytetarët për ndotjen e ambientit. Edhe Ministria e Mjedisit, të dyja mund të bashkëpunojnë dhe t’i zgjidhin këto probleme që na kanë ngulfatur… 05:08 Janë paraqitur insekte të ndryshme. Vetë i kam parë edhe minjtë, të cilët janë shumë të mëdhenj… 06:49 Prej Komunës kam pritur shumë më shumë.”- tha Hasani

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka bërë të ditur se do t’i drejtohet kompanisë rajonale të mbeturinave KRM “Pastrimi”, me kërkesë për largimin e mbeturinave të grumbulluara.

“Kompanisë do t’i kërkohet që rasti të trajtohet me prioritet, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët për praninë e brejtësve në këtë zonë. Drejtoria ka bërë të ditur se do të kërkojë ndërmarrjen e masave të nevojshme në përputhje me obligimet që burojnë nga aktet nënligjore në fuqi”, tha drejtori Retkoceri.

Ndërkohë, banorët presin që ky shqetësim të marrë zgjidhje konkrete, përmes largimit të mbeturinave dhe ndërmarrjes së masave që do të parandalonin përsëritjen e një situate të tillë në këtë hapësirë publike./KosovaPress