
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, gjatë një takimi me qytetarët në Prizren, ka kritikuar shprehjen e përdorur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti: “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, kur flite për Kryeprokurorin e Shtetit.
Gjini tha se ndër vite është krijuar një narracion kundër njëri-tjetrit, ndërsa duke iu referuar kryeministrit Kurti, deklaroi se as nuk ka shkuar “Lumezi” e as nuk ka ardhur “Elezi”, por në pushtet ka ardhur “Bylmezi”.
“’Shkon Lumezi, vjen Elezi’ – kjo shprehje është e poshtër dhe në vetvete i ka edhe disa poshtërsira shtesë, por është tepër zhgënjyese me marrë vesh që ka ndodhur diçka interesante! As nuk ka shkuar Lumezi, as nuk ka ardhur Elezi, por në pushtet ka ardhur Bylmezi”, ka deklaruar ai.
“Nuk mundet me pasë pushtet i cili do me e ndreqë Kosovën, por është kundër bizneseve. Që do me e rregullu sundimin e ligjit, por është kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Që do me i ndreqë marrëdhëniet ndërkombëtare, por është kundër Amerikës. Që do me e rregullu demokracinë, por është kundër mediave. Që do me e luftu korrupsionin, por është kundër opozitës, jo kundër hajnave të vet”, ka thënë Gjini.
Ai ka paralajmëruar edhe për pasojat që mund të sjellin ndarjet e tilla në shoqëri, duke përmendur përçarjet mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë, mes qytetit dhe fshatit, si dhe mes njerëzve të së njëjtës shoqëri.
“Nuk guxojmë me i dhënë këto mesazhe si start. Pushteti nuk mundet me qenë veç kundër diçkaje ose kundër dikujt. Duhet me qenë për diçka”, ka përfunduar Gjini.