
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje shtesë lidhur me aksionin e koduar “Kufiri 2”, ku u sekuestruan rreth 136 kilogramë marihuanë dhe u ndaluan tre persona të dyshuar. Sipas Prokurorisë, droga dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria, me qëllim transportimin përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, deri në destinacionin përfundimtar në Turqi.
Në komunikatën e përbashkët me Policinë e Kosovës bëhet e ditur se operacioni është zhvilluar pas një pune intensive hetimore, në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes në Doganaj të Kaçanikut.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Siç raportoi më herët Sinjali, në mesin e tyre janë një grua dhe një burrë nga Kosova, si dhe një shtetas shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Ata dyshohet se kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast gjendet në arrati. Po ashtu, ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se do të vazhdojë hetimet për ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të dyshuar.
Ndërkaq, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali